AlbanianSport.com 15/02/2019 18:05
ASNN – Futbollisti Labinot Kabashi është sulmues shqiptar i dalë nga akademia e Barcelonës. Ai ka rinovuar zyrtarisht kontratën e tij me klubin katalan dhe do të jetë pjesë e “blaugranave” deri në verën e vitit 2021. Në fakt, është dëshira e vetë drejtuesve që sulmuesi shqiptar të mbetet pjesë e klubit të tyre, sepse e shohin si element të perspektivës.
Që Kabashi ka vlerë për Barcelonën e tregon fakti se klauzola e lirimit për talentin shqiptar është çmuar 40 milionë Euro. Ka dhe një element të dytë që e bën interesant kontratën e rinovuar me Barcelonën. Nëse Kabashi do të mbërrijë në ekipin e parë të Barcelonës, kontrata e tij merr vlerë 2.5 herë më shumë dhe klauzola e lirimit të tij shkon automatikisht në 100 milionë Euro.
Futbollisti shqiptar nuk i ka mbushur ende 19 vjeç, ndërkohë që ka bërë zgjedhje edhe sa i takon skuadrës përfaqësuese, pasi ka zgjedhur pikërisht të përfaqësojë Kosovën. E vërteta është se ky lojtar ka dhe nënshtetësi finlandeze, por zgjodhi të bëhet pjesë e Kosovës që kur ishte 16 vjeç. Rinovimi me Barcelonën shënon një pikë kulmore për adoleshentin shqiptar, i cili shpreson të kapë nivelin e skuadrës së parë katalane.
Nëse do t’ia dalë atëherë do të ketë një shans në karrierën e tij dhe mund të shkruajë historinë. Ecuria e deritanishme është mjaft e mirë dhe ai ka krijuar profilin e një futbollisti të suksesshëm, por ekziston mundësia e madhe që Barcelona ta huazojë atë në ndonjë klub tjetër në mënyrë që të luajë dhe të tregojë vlerat e tij.