AlbanianSport.com 12.04.2015 17:50
ASNN – Përtej polemikave dhe kontestimeve, sidomos nga bardheblutë kryeqytas, Flamurtari ka mundur Tiranën në ndeshjen e tretë dhe ka siguruar vendin në duelin final të “play-off”-it të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra.
Pas kualifikimit në finale, basketbollistja që shënoi 19 pikë dhe kapi 12 topa në tabelë në këtë sfidë, Marijana Çorto, ka dhënë një intervistë ekskluzive për faqen zyrtare të Flamurtarit në “Facebook”, të cilën AlbanianSport.com jua sjell këtu.
Ajo shprehet optimiste për sa i përket finales, ndërsa rrëfen edhe të qenit në sportiste serbe në Shqipëri, teksa thotë: “Unë kam ardhur këtu për të luajtur dhe basketbolli na bashkon të gjithëve në shumë mënyra”.
– Marijana, 19 pikë dhe 12 topa në tabelë, si shkoi ndeshja e sotme për ju dhe ekipin?
– Ishte një ndeshje që na shtrydhi emocionalisht dhe fizikisht. Të dy ekipet ishin nën presion, por ne e administruam më mirë dhe ia dolëm të merrnim një fitore të rëndësishme. Jemi të lumtur që jemi në finale, por ndeshjet e radhës janë shumë të vështira dhe duhet të jemi sa më të fokusuar.
– Si i shikoni ndeshjet finale me Apoloninë?
Nuk e njoh dhe aq mirë ekipin e Apolonisë, por ata janë në vend të parë dhe për këtë – sigurisht që duhen respektuar dhe vlerësuar në maksimum. Gjithsesi, ne luajmë për të fituar dhe do të japim më të mirën.
– Si e vlerësoni sezonin tuaj deri tani dhe si ju duket niveli i basketbollit shqiptar?
– Unë nuk kam luajtur me ekipin qysh në fillim të sezonit, por kam dëgjuar fjalë të mira kur erdha dhe e pashë dhe vetë ekipin dhe jam shumë e lumtur. Jemi në finale dhe kam njohur njerëz shumë të mirë gjatë kësaj kohe në Vlorë. Për sa i përket nivelit, unë kam luajtur në Serbi dhe niveli atje është pak më i lartë, kjo dhe për shkak të traditës që ka Serbia në basketboll. Por në Shqipëri, më ka befasuar puna e palodhur, pasioni dhe përkushtimi që lojtaret kanë për basketbollin.
– Në planin personal, ka qenë e vështirë për ju si serbe të përshtateni në Shqipëri?
– Fatkeqësisht, marrëdhëniet mes dy popujve tanë nuk janë dhe aq të mira, por unë kam ardhur këtu për të luajtur dhe basketbolli na bashkon të gjithëve në shumë mënyra. Më pëlqen shumë Shqipëria, është vend shumë i bukur dhe njerëzit janë miqësorë dhe të ngrohtë dhe më kanë pranuar sikur të isha nga Shqipëria. E vlerësoj mundësinë që më është dhënë dhe do përpiqem të jap maksimumin në këto 3 ndeshje që na kanë mbetur.