Nga Gjergj Vyshka 12.10.2014 17:45
Atmosfera jo dhe aq e ngrohtë në “Elbasan Arena” i ka shkuar për shtat skuadrës së Olsenit. Ndoshta Elbasani dhe vetë elbasanllinjtë, kuptohet për natyrën e tyre të butë dhe shumë dashamirëse e paqësore, s’kanë qenë të gatshëm për të pritur një ndeshje kombëtareje. Si rrallëherë, Shqipëria ka luajtur në një atmosferë të ftohtë, në një stadium që ishte plot, por që nuk kishte inkurajimin dhe mbështetjen që zakonisht kuqezinjtë kanë gjetur në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Sigurisht që nuk i duhet vënë faji, pavarësisht se në stadium kishte nga e gjithë Shqipëria.
Por që një Elbasan i tërë, që e ka pritur mirë jo vetëm ndërtimin e stadiumit, por dhe kombëtaren shqiptare, të ishte më i ngrohtë me kuqezinjtë duhet të ishte përgatitur më përpara. Ndoshta dhe kjo atmosferë jo shumë e ngrohtë, për të mos thënë indiferente, me thirrje të shkëputura dhe aspak të zgjatura ndaj kuqezinjve, mund të ketë qenë një shkak më shumë për një barazim 1-1 me Danimarkën. Ermir Lenjani i ka dhënë shpresë kombëtares së Shqipërisë për një fitore të dytë në Eliminatoret e Evropianit “Francë 2016”.
Por ëndrra e tanëve nuk ka vazhduar deri në fund, ndërsa Danimarka na ka ndëshkuar atëherë kur tanët kanë humbur përqendrimin mbi të gjitha në pikën më të fortë të sulmit mik, që ishte Bendtner. Por përtej kësaj, një barazim me Danimarkën, pavarësisht se është ruajtur kreu në grupin I, duket se ka sjellë keqardhje tek të gjithë autoritetet më të larta të qeverisë dhe të futbollit shqiptar. Sidomos tek kryeministri Rama, i cili është kujdesur vetë për përfundimin në kohë të “Elbasan Arenës”, ndërsa duket se e priste një fitore për ta përuruar zyrtarisht me një sukses këtë impiant modern të futbollit shqiptar.
Megjithatë edhe një barazim me Danimarkën, e cila në 90 minuta na ka “gozhduar” në portë, duhet quajtur sukses. Për më shumë që kemi marrë një pikë dhe që nuk jemi ndëshkuar, ndërsa të martën, përtej konsumimit të forcave fizike me nordikët, do të jemi përsëri të plotë në Beograd. Këtë herë për një rezultat patriotik ndaj Serbisë në shtëpi.