Nga Gëzim Sinemati 14.11.2014 20:25
Kemi fluturuar aq lart me dronin, sa na dukej sikur përrallën e Beogradit e tregonte vetëm UEFA dhe jo zyrtarët tanë. Për herë të parë, na dukej sikur FSHF ngjasonte me engjëllin e pafajshëm, i cili tregon shenjat e dhunës dhe nuk mundohet të fshehë asgjë. Ishte një rast i bekuar për një institucion që shpesh ka treguar një ndjenjë inferiore sinqeriteti me dashamirësit e futbollit. Kishim besuar deri në sforcim edhe deklaratën e kapitenit Cana për mosdaljen në fushë të ekipit tonë dhe bënim sikur harronim që për ngjarje të tilla, të ngjashme, kemi dënuar ekipe që kanë refuzuar fushën në kampionatin tonë.
Madje, një ditë të bukur, na është prishur qejfi edhe me “spanjollin” Eduard Dervishi, kur tha nga selia e federatës së Spanjës se “futbollistët tanë kanë injoruar vendimin e arbitrit, delegatit dhe shefit të sigurisë”. Fjalët e tij, për disa, ishin sikur t’i merrje nga xhepi portofolin, ku më shumë vlerë kishin 3 pikët, sesa vetë paratë. Dhe në opinion, sikur të kishin bërë një shiringë, efekti i së cilës të përqendronte vetëm te dhuna e kundërshtarit, tek organizmi plot prapaskena, por jo te “gafa e vogël” e refuzimit të vazhdimit të ndeshjes. Një gafë, për të cilën kemi bërë rokadën e sakrificës midis kapitenit Cana dhe presidentit Duka.
Edhe Mesi apo Ronaldo nuk do të kishin aq pushtet për të vendosur fatin e një ndeshjeje delikate, duke u “këshilluar” me shokët. I përkëdheluri Kristiano Ronaldo dhe yjet e tjerë të Realit iu bindën si lepuj urdhrit të presidentit Perez, kur u fikën dritat në “Qemal Stafa” për gati 1 orë. Në këtë realitet duhet parë edhe mëkati i fundit i FSHF-së, kur zbulohet fshehja e raportit të UEFA-s lidhur me dënimin. Një gjest kuptimplotë i tradhtisë morale, kur kujton metamorfozën: dikur na thoshin se e ka vendosur UEFA dhe prej saj trembej edhe politika.
Ndërsa tani, çuditërisht, kemi ngatërruar misionin, duke u bashkuar me politikën dhe duke sulmuar UEFA-n, mirëpo me riskun e një loje të rrezikshme me opinionin. Një situatë që provokon një pyetje: çfarë fshihet tjetër në raportin e UEFA-s, përveç refuzimit të vazhdimit të lojës? Nga toka nuk marrim përgjigje, mos vallë duhet të lëshojmë një dron drejt zyrave tona me pyetjen e sinqertë: pse u treguam kaq naivë duke i “marrë” 3 pikët pa dalë në fushë!