AlbanianSport.com 01/01/2018 10:50
ASNN – Dy ditë më parë, Diego Armando Maradona festoi 58-vjetorin e tij të lindjes. Nuk mjaftuan urimet në rrjetet sociale për ikonën e futbollit argjentinas dhe atij botëror, por kryeqyteti i Argjentinës, Buenos Aires, ka menduar për diçka speciale në këtë përvjetor.
Për nder të Maradonës, për atë që ka bërë për vendin e tij dhe për suksesin në Botërorin e vitit 1986, ku fitoi Botërorin në Meksikë, atij i është ngritur një statujë. Vendi i ngritjes ka shumë domethënie, sepse është zgjedhur pranë stadiumit të “Argentinos Junior”, atje ku ai nisi karrierën e tij futbollistike në vitin 1976.
Të shumtë janë ata që mendojnë se Lionel Mesi është futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, por nëse pyet argjentinasit, “Pibe D’Oro” është i pakrahasueshëm me askënd, ai është një legjendë e gjallë e vendit të tij. E ndërsa Mesi ka fituar shumë me Barcelonën, për Argjentinën nuk ka fituar trofe me peshë.
Kurse Maradona i dha një kupë bote kombit të tij dhe Buenos Airesi po ia shpërblen me këtë statujë.