AlbanianSport.com 16.02.2016 12:35
ASNN – Benfika-Zenit i Shën Pjetërburgut dhe Paris SG-Çellsi janë dy çiftet e para të turit të 16-shes të Ligës së Kampioneve, që zbresin sonte në fushën e blertë për të luajtur sonte ndeshjet e tyre të para.
Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, rikthehet në fushat e blerta anembanë kontinentit, pasi të martë dhe të mërkurën luhen ndeshjet e para të 4 prej çifteve të turit të 16-shes, ndërsa 4 të tjerat i luajnë mesjavën e ardhshme ndeshjet e para.
Sonte në mbrëmje vëmendja e futbollit kontinental të klubeve është në Portugali, ku Benfika vendase pret Zenitin e Shën Pjetërburgut, por sidomos në Francë, ku do të luhet superpërballja Paris Sen Zhërmen-Çellsi.
Të dyja ndeshjet luhen duke nisur nga ora 20:45 dhe, në duelin e parë, mbetet për t’u parë nëse ndërprerja dimërore e kampionatit rus ka ndikuar në formë e Zenitit, që shkon si favorite në sfidën me Benfikën.
Ndërsa në duelin e dytë, atë që zhvillohet në kryeqytetin francez, Çellsi do të shpresojë tek përvoja e trajnerit Gus Hidink, ndërsa PSG-ja beson tek aftësitë e qendërsulmuesit të saj suedez, Zllatan Ibrahimoviçit, për të thyer sfidën e bluve londinezë.