AlbanianSport.com 09.10.2014 10:25
ASNN – Java e futbollit evropian ngre sot siparin në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, me njërin prej takimeve më të spikatura të mbrëmjes, atë midis Sllovakisë dhe Spanjës.
Kjo ndeshje, e cila do të luhet duke nisur nga ora 20:45, është e vlefshme për grupin C të Eliminatoreve të Evropianit 2016, ku përveç sllovakëve dhe spanjollëve, bën pjesë edhe Ukraina, Bjellorusia, Maqedonia dhe Luksemburgu.
Takimi i sotëm është i dyti në këtë grup si për Sllovakinë, ashtu edhe për Spanjën, që kanë nga 3 pikë secila, pasi i kanë fituar takimet e para.
Më 8 shtator, sllovakët fituan minimalisht në Ukrainë përballë përfaqësueses vendase, ndërsa spanjollët nuk patën shumë probleme ndaj Maqedonisë, duke fituar me rezultatin e thellë 5-1.
Në konferencën për shtyp të dhënë dje, trajneri i përfaqësueses spanjolle, Visente Del Boske, dhe lojtarët e tij, e kanë vlerësuar Sllovakinë si një kundërshtare të afirmuar tashmë në arenën ndërkombëtare, por kanë shprehur besimin e tyre për një fitore.