AlbanianSport.com 16.09.2015 07:05
ASNN – Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, ka nisur fazën e grupeve dhe skuadrat e mëdha e zënë fill me fitore sezonin e ri, ndërkohë që vetëm Mançester Junajtid ka zhgënjyer në ndeshjen e parë.
Pavarësisht se kaluan të parët në epërsi me Memfis Depajin, “Djajtë e kuq” janë mundur 2-1 nga PSV Eind’hoveni. Një nisje jo i mirë kjo edhe për trajnerin Luis van Gal, i cili ka bërë blerje shumë të shtrenjta gjatë merkatos së verës.
Paris SG-ja dhe Reali i Madridit kanë treguar që në ndeshjen e parë ambiciet e tyre për kreun e klasifikimin. Skuadra franceze mundi 2-0 Malmoen falë golave të Di Marias dhe Kavanit, ndërsa madrilenët e Benitezit shkatërruan 4-0 Shahtjorin e Donjeckut.
Protagonisti i ndeshjes në “Santiago Bernabeu” ishte sërish portugezi Ronaldo, i cili shënoi 3 herë në portën e ukrainasve. Një tjetër rezultat surprizë i mbrëmjes ishte fitorja 1-2 e Juventusit në Mançester ndaj Sitit vendas.
Kampionët e Italisë përmbysën rezultatin dhe mposhtën ekipin e milionave arabe, duke e nisur mbarë këtë sezon në Ligën e Kampioneve. Në Grupin C, Atletiko Madrid fitoi 2-0 në Stamboll ndaj Gallatasarajit, ndërsa Benfika mposhti po 2-0 kazakët e Astanës.