AlbanianSport.com 11/02/2018 08:50
ASNN – Niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, që njihet si Grupi A1, ka luajtur të shtunën ndeshjet e javës së tij të 8-të, që ishte edhe e para për fazën e dytë të këtij sezoni, duke mbajtur të pandryshuar kreun, por duke ngjeshur skuadrat poshtë Barleti Volejit.
Skuadra e trajnerit Hasan Gurabardhi ka mbyllur gjithçka në 3 sete në Tiranë përballë Skënderbeu, duke e ruajtur të paprekur kolonën e humbjeve dhe duke u shkëputur edhe më tepër në krye në kuotën e 24 pikëve. Kryesuesja përfitoi edhe nga fakti se ndjekësja më e afërt, Tirana, është ndalur në derbin e kryeqytetit.
Duket se ardhjet e venezuelanes Shakoa dhe brazilianes De Oliveira e kanë rritur skuadrën e trajnerit Roland Tarja, që dy setet e para i ka fituar me shifra identike, 25-17, dhe të tretin 25-15 dhe në përfundim 3-0 për Partizanin. Teuta ka triumfuar në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës me Vllazninë vendëse, por vetëm pas setit final.
Ndonëse seti i parë dhe ai i katërt foli tërësisht për volejbollistet shkodrane, të cilat në sajë të një loje mjaft të mirë, si në organizim, ashtu dhe në sulm, i fituan ato, pjesa tjetër ka qenë një reagim i fortë i durrsakeve, që morën setin e dytë, të tretë dhe të 5-të. Në duelin e fundit të renditjes, Lushnja ka fituar 3-0 në Peshkopi ndaj Korabit.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 8-të
(10 shkurt 2018)
Korabi – Lushnja 0-3
(18-25, 17-25, 23-25)
Barleti Volej – Skënderbeu 3-0
(25-16, 25-13, 25-18)
Vllaznia – Teuta 2-3
(25-12, 18-25, 14-25, 25-17, 11-15)
Tirana – Partizani 0-3
(17-25, 17-25, 15-25)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Barleti Volej 8 8 0 24
- Tirana 8 6 2 18
- Partizani 8 6 2 17
- Teuta 8 5 3 15
- Skënderbeu 8 3 5 9
- Vllaznia 8 2 7 7
- Lushnja 8 1 7 3
- Korabi 8 1 7 3