AlbanianSport.com 02.04.2016 10:45
ASNN – Kategoria Superiore kthehet në fushë për fazën e fundit dhe skuadrat rikthehen në sprintin final për të arritur objektivat. Pas ndërprerjes për shkak të miqësoreve të kombëtares, niveli më i lartë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit kthehet në fushë këtë fundjavë me fazën e katërt dhe të fundit të këtij sezoni. Kësisoj, pushimet që i lejoi impenjimi i kombëtares shqiptare në miqësoret e fundmarsit kanë përfunduar.
Kategoria Superiore kthehet në fushën e lojës për javën e 28-të, e para e fazës së fundit për këtë sezon të kampionatit elitar të futbollit në vend. Ky është edhe sprinti final për skuadrat në objektivat e tyre mbi të gjitha për dy favoritët për titullin “kampion”. Skënderbeu dhe Partizani do të luajnë sfidat e tyre ditën e shtunë megjithëse në orare të ndryshme.
Të parët në fushë zbresin të kuqtë e kryeqytetit. Në orën 16:00 skuadra e drejtuar nga Andrea Agostineli luajnë në fushën e vështirë të Laçit, me misionin për të ruajtur serinë pozitive. Kjo ndeshje do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Fitorja do të ngushtonte qoftë edhe përkohësisht diferencën me Skënderbeun dhe do të shtinte presionin ndaj kryesuesve të Kategorisë Superiore.
Këta të fundit presin në fushën e tyre në orën 19:00 Vllazninë. Mirel Josa duhet t’i bëjë llogaritë me shumë mungesa për këtë ndeshje, por, sidoqoftë, korçarët mbeten në favorizuar në letër ndaj skuadrës së Armando Cungut, që pas rezultateve pozitive tani është e qetë dhe larg zonës së ftohtë të renditjes. Një garë e fortë është edhe ajo për vendin e tretë.
Ky është vendi që jep edhe biletën e fundit për në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. Kukësi luan në fushë të huaj kundër Bylisit. Fitorja do t’i lejonte formacionit të Klodian Duros të ruante diferencën qoftë edhe minimale me rivalët direktë, Teutën dhe Tiranën. Durrsakët zbresin në fushë po ditën e shtunë për ndeshjen në shtëpinë e tyre kundër Flamurtarit që kërkon të shpëtojë sezonin.
Më e favorizuar duket Tirana. Bardheblutë mbyllin javën e 28-të me ndeshjen e tyre të dielën në orën 19:00 në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Ndaj pukjanëve të fundit në renditje dhe me pak shpresa për të qëndruar në Superiore, të besuarit e Ilir Dajës kanë mundësinë më të mirë për t’u kthyer te fitorja dhe te objektivi i vështirë për të siguruar një vend në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm.