AlbanianSport.com 05/03/2021 20:55
ASNN – “Ka shumë shqiptarë të rinj që luajnë në Itali, por jo vetëm, – deklaroi trajneri italian i Kombëtares, Edoardo Reja, në një nga konferencat e tij të fundit. – Edhe në Zvicër edhe në Gjermani, edhe në Angli ka lojtarë të mirë, të cilët kanë kombësi shqiptare dhe këto duhet t’ia afrojmë gradualisht me Kombëtaret tona.” Kjo është edhe një nga arsyet pse lojtarët e talentuar po afrohen direkt në Kombëtaren e madhe dhe po u jepet mundësi ta provojnë veten në skenën e “të mëdhenjve”. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe vetë trajneri Reja teksa shpjegoi zgjedhjet e tij gjatë edicionit të kaluar.
“Ka qenë projekt i Federatës që në momentin që kam firmosur me Presidentin Duka që ne të ndërtojmë një skuadër që të synojmë “Euro 2024”-ën, – pati thënë ai. – Projekti final ishte për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe dinjitoze për 2024. Kam menduar t’u jap hapësirë lojtarëve të rinj, kam marrë futbollistë si Molla, Broja, Vrioni, Doka, Selahi, Kallaku, Çokaj, Çekiçi, të cilët janë pak a shumë 20 vjeç dhe pas katër vitesh do jenë më të pjekur. Sigurisht, disa prej tyre unë i kam marrë edhe në ndeshjet e kaluara, por nuk janë aktivizuar.”
“Në momentin që unë nuk i aktivizoj, është e kotë që t’i marr, t’i thërras dhe t’i lë në stol. Kështu që mendova se është një moment i mirë për t’i marrë dhe për t’i ingranuar gradualisht në skuadër dhe për t’i provuar”, – pati deklaruar asokohe trajneri kuqezi. Në ndeshjen e tetorit 2020 ndaj Kazakistanit në Ligën e Kombeve të Evropës, në listën e Kombëtares kuqezi kishte plot 10 debutues. Duke filluar nga më i riu, Marko Molla, gjigandin 18-vjeçar të portës që aktivizohet me skuadrën Nën-19-vjeçarëve të Bolonjës në Itali.
E për të vazhduar me Marash Kumbullën, yllin e merkatos së verës për të cilin Roma pagoi rreth 17 milionë euro për ta pasur në gjirin e saj. Në fakt kjo ishte ndeshja e parë e Kumbullës si titullar, edhe pse ishte ftuar në disa ndeshje të tjera në të kaluarën, por pa mundur të lërë shenjën. Bëhet fjalë për një lojtar që realizoi një sezon të shkëlqyer me Veronën në Seria A, duke tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha të Italisë. Dhe është vetëm 20 vjeç! Për të vazhduar më tej me Albi Dokën, mbrojtësin e formuar te Tirana e që këtë sezon u transferua në Kroaci te NK Gorica.
23-vjeçari arriti të marrë ftesën e tij të parë në Kombëtaren A pasi kishte luajtur me të gjitha moshat, ashtu si edhe Jon Mersinaj. Mbrojtësi i Lokomotivës së Zagrebit ishte i pafat këtë herë pasi pësoi një dëmtim, por e ardhmja duket e ndritur për 21-vjeçarin. Më tej, lista vazhdon me Enis Çokajn, i cili gjithashtu luan te Lokomotiva e Zagrebit së bashku me Mersinajn, por edhe Sherif Kallakun, tjetër debutues. Që të tre lojtarë të rregullt me ekipet kombëtare të moshave e që tashmë kanë mundësinë të bëjnë hapin e madh të karrierës.
Në sulm, risitë për këtë radha ishin dy emra prej të cilëve pritet shumë: Armando Broja, 19-vjeçarin e rritur te Çelsi i Londrës dhe i huazuar momentalisht te Viteshe e Arnehmit në Holandë. Një sulmues me të dhëna të shkëlqyera e që ka mundësi të rritet, pasi është ende shumë i ri. Tjetri është Xhakomo Vrioni, i cili bëri bujë kur u transferua vitin e kaluar te Nën-23-vjeçarët e Juventusit dhe madje debutoi edhe në skuadrën e parë përkrah emrave si Ronaldo & Co. 21-vjeçari premton shumë për të ardhmen dhe së bashku mund të formojnë një dyshe ëndrrash.