Gjergj Vyshka 03.05.2015 18:25
Ada është skuadra e parë private që është krijuar nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Sulejman Poda. E më pas Lori 2006 e në fund Uillson. Këtu duket se ka qenë finishi i Podës trajner me ekipet private, ndonëse e sheh dhe pranë Stelës. “Gjithnjë jam marrë me moshat, – thotë ai. – I kam stërvitur me dëshirë dhe i kam bërë “kampion”, kurse po të më pyesësh për një shifër të saktë të rekordeve do të mund të them që janë mbi 120 të thyera.”
“Dikur të mbetur nëpër libra rekordesh të Federatës Shqiptare të Notit, por që janë thyer tashmë”, – shton Poda, i cili bën të ditur se ka qenë një rrugë e gjatë me notin, që nuk përsëritet më, por që gjithnjë ka sjellë kënaqësi. “Është punë shumë e bukur dhe emocionale që të merresh me fëmijët, e cila në një farë mënyre është e ardhmja e gjithë sportit në vend.”
“Sa për familjen, i kam pasur gjithnjë mbështetje, asnjëherë nuk janë bërë pengesë për atë që unë kam bërë me notin dhe kanë pasur kënaqësi sikurse dhe unë për rezultatet e arritura”, – ka përfunduar Poda, një mjeshtër i madh i notit shqiptar. Por për Podën nuk kanë munguar as specializimet, sepse fal miqësisë së kahershme që ka pasur me ish-presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Arben Jorgoni, ka marrë pjesë në disa kurse kualifikimi.
Ndaj dhe Sulejman Poda, jo vetëm që është një figurë e kompletuar, por mbi të gjitha një specialist i mirëfilltë për marrjen me moshat e vogla.