AlbanianSport.com 27/08/2021 19:25
ASNN – Të premten, futbolli shqiptar ishte në qendër të skenës së madhe futbollistike evropiane, pasi filloi rrugëtimi i veprimtarisë më të re të klubeve të futbollit, Liga e Konferencës, që do ta luajë finalen e madhe në Tiranë më 25 maj 2022. Një finale që është pa diskutim promovimi më i shkëlqyer i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, një arritje që kurrsesi nuk është rastësore, por është thjeshtë fryt i një pune disavjeçare e të palodhur të Federatës Shqiptare të Futbollit, që tregon se futbolli shqiptar sot ka arritur nivele që dikur as nuk mendoheshin.
Ngjitja e Lorik Canës në skenën e shortit për fazën e grupeve të Liga e Konferencës ishte kulmimi i një procesi të gjatë rritjeje e transformimi të jashtëzakonshëm që ka pësuar futbolli jonë, që sot ka nderin dhe privilegjin të presë një finale prestigjioze. Një finale e cila do të përmirësojë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, do të jetë një reklamë fantastike për vendin në sytë e botës e që pa diskutim do të ketë një impakt tejet të madh në jetën ekonomike dhe turistike të vendin, duke sjellë mijëra tifozë në Tiranë dhe që do të kthejë sytë e mediave më të madhe botërore nga Shqipëria.
27 gushti 2021 do të mbahet mend si një datë historike për futbollin shqiptar. Puna dhe mundi i gjithë komunitetit të futbollit shqiptar ndër vite “shpërblehet” më 25 maj me finalen e madhe të veprimtarisë më të re të organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA-s, që vjen në Stadiumin “Arena Kombëtare. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.