AlbanianSport.com 18/03/2021 20:25
ASNN – Ekipi kombëtar i Nën-20-vjeçarëve ka zhvilluar këtë të enjte një përzgjedhje njëditore, me rreth 40 lojtarë të vitlindjes 2001 dhe 2002 që aktivizohen në kampionatin shqiptar. Përzgjedhja është zhvilluar në Qendrën Stërvitore në Kamëz, nën drejtimin e trajnerit të sapoemëruar në stolin kuqezi të kësaj grupmoshe, Ilias Haxhiraj. Duke folur për mediat, trajneri Haxhiraj tha se kjo përzgjedhje po bëhet me qëllim evidentimin e lojtarëve që luajnë në kampionatin shqiptar dhe për ta parë gjendjen e tyre.
“Kjo është dita e parë e përzgjedhjes së Nën-20-vjeçarëve, me qëllim për të evidentuar dhe për të parë gjendjen e lojtarëve që luajnë në kampionatin shqiptar, – ka thënë ai. – Gjithashtu ekipi kombëtar i Nën-21-vjeçarëve ka aktivitet dhe grumbullimin, për të parë dhe për të evidentuar lojtarë që mund të afrojmë tek Shpresatt. Do të shikojmë gjendjen e tyre. Disa lojtarë luajnë në kampionatin shqiptar. Të mbarojmë këtë përzgjedhje dhe do të arrijmë në konkluzionin nëse ndonjë lojtar mund të afrohet tek ekipi që në këtë përzgjedhje.”
Më tej ai theksoi se stafi i ka ndjekur me kohë lojtarët e thirrur në seleksionim dhe se shumë shpejt do të konsolidohet edhe grupi i Nën-20-vjeçarëve. “Pa diskutim që ne të gjithë bashkë, kemi kaq kohë që këta lojtarë janë evidentuar, sidomos që luajnë në kampionat, kanë qenë dhe lojtarë të ekipit të Nën-19-vjeçarëve dhe janë të evidentuar. Besoj se shumë shpejt do të arrijmë në konkluzione dhe do të formojmë grupin e Nën-20-vjeçarëvd. Duke parë dhe formën e lojtarëve, do të shikojmë për lojtarë edhe në Kategorinë A dhe patjetër që do të kemi një grup më të konsoliduar”, – përfundoi Haxhiraj.