AlbanianSport.com 09/08/2019 10:25
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Nevil Dede, është mundur të enjten pasdite me rezultatin e ngushtë 2-1 nga Reali i Madridit, në ndeshjen debutuese të “International Memorial Tournament”, turne ky që po zhvillohet në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb. Shqipëria e filloi ndeshjen me këtë formacion: Malaj, Lucaj, Rexhepi, Selishta, Hida, Beqja, Gashi, Rrapaj, Ibrahimi, Muçi dhe Prenga. Më pas u aktivizuan edhe Bernaca, Shimaj, Shabani, Beu, Ajazi dhe Nurja.
Ndeshja ka filluar më mirë për kuqezinjtë që në minutat e para kanë mbajtur kontrollin e lojës dhe i janë afruar rrezikshëm portës së spanjollëve me Ibrahimin dhe Muçin. Loja më pas u barazpeshua dhe skuadra e Dedes u godit nga një gol në minutën e 26-të, me autor Arandën, i cili shënoi nga brenda zonës së rreptësisë, pas një goditje nga këndi. Në minutën e 36-të janë përsëri madrilenët që dyfishojnë me anë të Martinit. Lojtarët kuqezi provojnë të reagojnë.
Madje i afrohen golit në minutën e fundit të pjesës së parë me Ibrahimin, por pa rezultat. Kësisoj, me rezultatin 2-0 u mbyll edhe pjesa e parë e ndeshjes. Pjesa e dytë fillon me gol për skuadrën kuqezi. Ernest Muçi shënon një gol të shkëlqyer në minutën e 44-të, falë një driblimi dhe një goditjeje nga jashtë zone. Pavarsisht rasteve dhe mundësive të tjera për shënim që kishin të dy skuadrat rezultati nuk ndryshoi dhe gjithçka u mbyll me fitoren 2-1 të gjigandes spanjolle.
Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve do të luajë sonte, në orën 18:15 ndeshjen e dytë në këtë turne, ku do të përballet me organizatorët e Dinamos së Zagrebit. Të shtunën skuadra e Nevil Dedes do të luajë ndeshjen e 3-të dhe të fundit në grup kundër Olimpijas së Ljubljanës.