AlbanianSport.com 06/11/2021 20:55
ASNN – Kombëtarja kuqezi e Nën-19-vjeçarëve është zyrtarisht gati të nisë punën për ndeshjet eliminatore të Kampionatit Evropian 2022, teksa grupi i saj do t’i zhvillojë ndeshjet pikërisht në Shqipëri, nga data 10, deri më 16 nëntor 2021. Shorti e ka vendosur ekipin e drejtuar nga trajneri shqiptar, Armando Cungu, në grupin F, së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Dhe Cungu ka bërë publike të shtunën listën me 22 lojtarët e grumbulluar për këto 3 ndeshje, 14 prej të cilëve aktivizohen në klube të huaja ndërsa 8 futbollistët e tjerë janë pjesë e kampionatit shqiptar. Stafi kuqezi, me në krye Armando Cungun, i cili është emëruar në fillim të vitit në krye të stolit të kësaj Kombëtareje, ka zhvilluar disa përzgjedhje dhe grumbullime.
Por edhe disa ndeshje miqësore me kundërshtarë seriozë, duke pasur kështu mundësinë të shohin elementët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë veprimtari zyrtare. Skuadra do të nisë nga dita e diel grumbullimin në Durrës, ku do të qëndrojë deri në fund të kësaj veprimtarie. Ndeshja e parë e Kombëtares kuqezi do të jetë ajo ndaj Francës më 10 nëntor 2021 në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës.
Ndërsa dy ndeshjet e tjera do të zhvillohen në Stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan. Kuqezinjtë do të luajnë më 13 nëntor 2021 kundër Serbisë, ndërsa me 16 nëntor 2021 do të përballen me Maqedoninë e Veriut. Më poshtë edhe lista me emrat e 22 lojtarëve të thirrur nga trajneri Armando Cungu për ndeshjet e këtij grupi të Eliminatoreve të Evropianit të kësaj grupmoshe: