AlbanianSport.com 11.02.2016 19:35
ASNN – Tirana nuk ka arritur të bëjë “bis” në Kupën e Shqipërisë, sepse, ndonëse ka fituar dje finalen e Nën-17-vjeçarëve, duke triumfuar 4-1 ndaj Olimpikut, nuk ka arritur ta përsërisë këtë sukses edhe në finalen e Nën-19-vjeçarëve, që është luajtur sot. Kjo sepse fitues i Kupës së Shqipërisë për 19-vjeçarët është Partizani, që mundi në finale Tiranën me rezultatin 2-1.
Finalja e zhvilluar sot në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet nisi me tension mes dy tifozërive, por më pas situata u qetësua duke mos ndikuar në mbarëvajtjen e kësaj finaleje. Talenti i Partizanit, Bardhi ishte nismëtar i golit të parë të të kuqve, të shënuar në minutën e 19-të të pjesës së parë. Pasi lëvizi bukur mes tre mbrojtësve të Tiranës, ai e dërgoi topin te Vllaçaj.
Dhe ky i fundit nuk e pati të vështirë të shënojë golin e parë të ndeshjes. Më pas, Tirana provoi të reagonte dhe pati disa raste të mira shënimi, por ishte sërish skuadra e “kuqe” që gjeti edhe golin e dytë në mintën e 62-të, me autor Bajramin. Tirana e kërkoi golin në minutat e mbetura dhe arriti të shkurtonte diferencën 7 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt me Prendin.
Megjithatë, në minutat e mbetura bardheblutë nuk arritën të shënonin edhe golin e barazimit dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të Partizanit. Kupa e Shqipërisë për të rinj u fitua nga Partizani, që me të drejtë festoi së bashku me tifozët. Emocionet e kësaj sfide u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.