AlbanianSport.com 25/02/2021 21:40
ASNN – Shqipëria Nën-19-vjeçarëve, e drejtuar tashmë nga trajneri Armando Cungu, ka zhvilluar një grumbullim 3 ditor në kompleksin “Tropikal” në Durrës, i pari për këtë vit që nga marrja e drejtimit të skuadrës nga ish-trajneri ndër të tjera, i Vllaznisë, Kukësit dhe Laçit. Nën urdhërat e trajnerit kuqezi ishin 25 lojtarë të cilët u vëzhguan nga afër nga i gjithë stafi i ekipeve kombëtare. Mbi emocionet e grumbullimit në kombëtaren e 19 vjeҫarëve, ka ka folur mbrojtësi Flori Spahija, i cili vjen nga Vllaznia dhe nuk e ka fshehur kënaqësinë.
“Ndihem shumë mirë, – ka deklaruar ai. Nuk është hera ime e parë, është hera e dytë ose e treta. Grupi po gëzon një gjendje shumë të mirë fizike dhe psikologjike. Me trajnerin e ri jemi ambientuar shumë shpejt. Mendoj se me këtë brez që jemi ne, prurjet do të jenë të vazhdueshme dhe do të kemi një brez shumë të mirë. Synoj të luaj me ndonjë nga ekipet më të mira të Europës. Për këtë po stërvitemi fundja.” Në këtë grumbullim, edhe pse me numër të pakët për shkak të kufizimeve si pasojë e epidemisë së virusit korona, kishte dhe prurje cilësore nga jashtë.
Një ndër të është Fabian Shahaj, lojtari i ADO Den Ha’ag në Holandë, i cili theksoi se ndihet mirë me këtë grup në këto ditë grumbullimi. “Jemi një grup shumë i mirë, një grup që ka kualitet, – ka deklaruar futbollisti i ri. – Trajnerët janë shumë të mirë, stafi është gjithashtu shumë i mirë dhe ndihem edhe unë shumë mirë. Kam qenë të moshat Nën-17, më pas me Nën-18 dhe tani jam pjesë e Nën-19-vjeçarëve. Ka shumë kualitet në këtë grup. Jam shumë i lumtur që luaj me Kombëtaren. Për tani kemi këtë grumbullim. Kam besim te vetja por duhet shumë punë për të shkuar larg”, – ka përfunduar Shahaj.