AlbanianSport.com 04/11/2021 21:40
ASNN – Shqipëria po bëhet gati të presë një tjetër event të rëndësishëm të futbollit evropian. Bëhet fjalë për organizimin e ndeshjeve eliminatore të vlefshme për Kampionatin Evropian 2022 për Kombëtaren e meshkujve për grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve. Shorti e ka vënë Shqipërinë e drejtuar nga trajneri Armando Cungu në të njëjtin grup me Francën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Të gjitha ndeshjet e grupit 7 do të zhvillohen në Shqipëri, në datat 10, 13 dhe 16 nëntor 2021. Ndeshja e parë e Shqipërisë do të jetë ajo kundër Francës më 10 nëntor 2021, që do të luhet në Stadiumin “Egnatia” në Rrogozhinë duke nisur nga ora 14:00. Tri ditë më vonë, kuqezinjtë do të luajnë ndaj Serbisë në po të njëjtën orë, por në Elbasan.
Ndeshja e fundit do të jetë ajo ndaj Maqedonisë së Veriut më 16 nëntor, duke nisur nga ora 16:00 po në Stadiumin “Elbasan Arena”. Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) i janë besuar një sërë veprimtarish të rëndësishme të nivelit evropian këtë vit, siç kanë qenë ndeshjet e turit para-eliminator të Ligës së Kampioneve për sezonin 2021/2022.
Por edhe organizimi i 6 ndeshjeve të turit para-eliminator të Ligës së Kampioneve në Futbollin e Sallës, 2021/2022, organizimi i ndeshjeve eliminatore për Kampionatin Europian 2021/2022 për Kombëtaren e futbollit të femrave për grupmoshën e Nën-17-vjeçare, apo një nga eventet më të mëdha të UEFA-s, mbledhja e Komitetit “HatTrick” në Tiranë më 30 shtator.
Evropiani 2022
Nën-19-vjeçarët
Grupi 7
Kalendari i ndeshjeve:
10 nëntor 2021:
Maqedoni e Veriut – Serbi (12:00)
Stadiumi “Elbasan Arena”
Francë – Shqipëri (14:00)
Stadiumi “Egnatia Arena”, Rrogozhinë
13 nëntor 2021:
Francë – Maqedoni e Veriut (12:00)
Stadiumi “Egnatia Arena”, Rrogozhinë
Serbi – Shqipëri (14:00)
Stadiumi “Elbasan Arena”
16 nëntor 2021:
Shqipëri – Maqedoni e Veriut (14:00)
Stadiumi “Elbasan Arena”
Serbi – Francë (14:00)
Stadiumi “Egnatia Arena”, Rrogozhinë