AlbanianSport.com 16/10/2018 17:05
ASNN – Kuqezinjtë e vegjël të Erjon Bogdanit munden 0-1 edhe në ndeshjen e 3-të me Norvegjinë. Ka rezultuar një pjesëmarrje për t’u harruar ajo e Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve të Shqipërisë në futboll, pasi skuadra e trajnerit Erjon Bogdani i ka humbur të takimet e grupit të saj eliminator.
Shqipëria ishte pjesë e grupit të 8-të eliminatore të Evropianit të kësaj grupmoshe, që i zhvilloi ndeshjet në Kamëz dhe në Durrës, së bashku me Ukrainën, Sllovakinë dhe Norvegjinë.
Dhe, pasi ishte mundur minimalisht nga Ukraina në takimin e parë dhe 0-3 nga Sllovakia në takimin e dytë, Shqipëria e kësaj grupmoshe ka vijuar ta humbë edhe ndeshjen e 3-të, me Norvegjinë.
Takimi i luajtur pasdreke dhe i sjellë për sportdashësit, ashtu sikundër edhe dy takimet e tjera të kuqezinjve, drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, është vendosur në favor të nordikëve nga një gol i shënuar në pjesën e parë.
Kështu, Shqipëria e mbyll në vendin e fundit, me 0 pikë dhe me 0 gola të shënuar e me 5 gola të pësuar.