AlbanianSport.com 17/10/2018 07:55
ASNN – Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve mbyll me turp eliminatoret e Evropianit, për Shpresat e Alban Bushit dështim vendi i parafundit në grupin 2. Dy skuadrat kombëtare kuqezi, ajo e Nën-19-vjeçarëve dhe ajo e Nën-21-vjecarëve zhgënjyen të martën në Eliminatoret e Evropianit për këto mosha. Kështu, Shqipëria e Nën-19 vjeçarëve pësoi disfatë ndaj moshatarëve të Norvegjisë, duke humbur 0-1 dhe duke i mbyllur me turp eliminatoret e këtij edicioni.
Një gabim i qendërmbrojtësit të Skënderbeut, Enes Isufi, në minutën e 31-të të pjesës së parë, bënë që kuqezinjtë të thyheshin minimalisht 0-1 ndaj nordikëve. Theksojmë se kuqezinjtë Nën-19-vjeçarë e mbyllën fushatën eliminatore të Evropianit 2019 me 3 humbje në po kaq ndeshje, ndërsa statistikat bëhen edhe më negative, kur llogarit që ky ekip ka pësuar 5 gola dhe nuk ka shënuar asnjë gol. Në dy edicione eliminatore radhazi të kësaj grupmoshe, skuadra e Erjon Bogdanit nuk fiton asnjë takim.
Dhe këto statistika janë vërtet kokëforta. Ndërkohë, skuadra kombëtare e Nën-21 vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, luajti të martën pasdite ndaj Estonisë, në ndeshjen e fundit në grupin e dytë eliminator për Evropianin e kësaj grupmoshe. Ndeshja përfundoi barazim 2-2. Edhe pse Shqipëria kaloi dy herë në epërsi, kuqezinjtë e rinj nuk arritën të ruanin epërsinë dhe estonezët barazuan, duke bërë që të dyja skuadrat të ndanin nga një pikë.
Pas mbylljes së Eliminatoreve, Shqipëria e mbyll grupin në vendin e parafundit me 7 pikë, duke lënë pas vetëm Estoninë me 2 pikë. Të dy golat për skuadrën tonë i shënoi Taulant Seferaj, nga një gol në secilën pjesë. Edhe për skuadrën e Bushit ky edicion ishte dështim, pasi Spanja, Irlanda, Sllovakia dhe Islanda e mbyllën këtë edicion eliminator më mirë se kuqezinjtë në renditje.