AlbanianSport.com 23/02/2021 18:40
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve ka zhvilluar të martën një miqësore me Partizanin B në kuadër të grumbullimit 3-ditor, që kuqezinjtë e vegjël kanë nisur që ditën e hënë. Trajneri Armando Cungu pati mundësinë të testonte të gjithë lojtarët e grumbulluar në test, që u zhvillua në Kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës të Tiranës.
Formacioni titullar që nisi ndeshjen ishte Kaçaj, Ismaili, Paloka, Shani, Musaj, Osma, Kuka, Stafa, Cahani, Mema dhe Shahaj. Në pjesën e dytë të takimit u aktivizuan të gjithë lojtarët e ftuar për këtë stazh stërvitor. Miqësorja e së martës përfundoi me fitoren 2-0 të Partizanit B, ndërsa sfida u ndoq nga afër nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, Alban Bushi, Ervin Bulku, Armand Dama.
Por edhe nga Kryezbuluesi i talenteve të Ekipeve Kombëtare, Xhemal Mustendanagiç, dhe specialisti Sulejman Mema. Ekipi Kombëtar e Nën-19-vjeçarëve do të zhvillojë ditën e mërkurë, më datë 24 shkurt 2021, një miqësore me ekipin kombëtar të Nën-18-vjeçarëve, që nis në ora 10:30 dhe luhet në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës. Kjo ndeshje ul edhe siparin e këtij grumbullimi të parë të kuqezinjve nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu.