AlbanianSport.com 02/09/2021 18:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-19-vjeçarëve ka zhvilluar ditën e mërkurë një sfidë miqësore kundër ekipit të të Nën-19-vjeçarëve të Internacionalit të Tiranës. Ndeshja, që u zhvillua në mjediset e Kompleksit “Internacional”, në Pezë-Helmës, u mbyll në favor të skuadrës kuqezi, të drejtuar nga trajneri Armando Cungu, që triumfoi me shifrat 3-0. Trajneri pati mundësinë të shikonte në këtë ndeshje gjendjen e të gjithë lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet që ekipi kombëtar do të zhvillojë ndaj Izraelit.
Ekipi kuqezi zbriti në fushë me këtë formacion: Ueiper, Dervishi, Preka, Cehu, Bytyçi, Nerguti, Zenelaj, Neziri, Asallari, Gjuzi, Bibo. Ndërsa në pjesën e dytë u aktivizuan edhe lojtarët e tjerë: Simoni, Zalli, Greca, Qefalija, Papaj, Thaleb, Halilaj, Arapi, Shpendi. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, me lojë të bukur, shumë raste të krijuara dhe 3 gola në portën kundërshtare. Ishte Cehu ai që kaloi fillimisht në epërsi skuadrën e Cungut, me një gol të bukur në minutën e 10-të.
Ndërsa në pjesën e dytë të ndeshjes, protagonist u bë Kristian Shpendi, i cili shënoi dy gola për kuqezinjtë, duke vulosur kështu rezultatin final 3-0. Shqipëria e Nën-19-vjeçarëve është grumbulluar që prej ditës së hënë dhe po vazhdon stërvitjet intensive në prag të dy sfidave miqësore që do të zhvillojë ndaj bashkëmoshatarëve të Izraelit, në datat 3 dhe 5 shtator 2021, me të dy takimet që do të luhen në Stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë.