AlbanianSport.com 30.09.2014 21:40
ASNN – Java e parë e Grupit A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve, ka përplasur dy ekipe të Akademive të futbollit në Lezhë, teksa bëhet fjalë për Brian’s dhe Porto. Ndeshja mes tyre ka qenë një spektakël, ndërsa gjithçka ka qenë e bukur për 500 shikuesit e këtij takimi.
Ra në sy drejtimi i dy trajnerëve të ekipeve, Lini për Brian’s dhe Hoxha për Porton. Që në fillim është kërkuar nga të dy trajnerët një lojë korrektë dhe të fitojë më i miri. Ka fituar Brian’s me golin e shënuar nga Marku. Në pjesën e parë Brian’s ka luajtur shumë mirë, duke krijuar raste për shënim, por që vetëm një gol ka dalë në dritë.
Pjesa e dytë ka qenë për Porton, e cila ka kërkuar barazimin, por që nuk e ka gjetur dot dhe në fund 1-0 për Brian’s. Në përfundim të ndeshjes të dy ekipet u përqafuan me njëri-tjetrin, ndërsa të njëjtën gjë bënë dhe trajnerët. Trajneri i Portos, Hoxha, do të deklaronte: “Ishte ndeshja e parë dhe u vu re dëshira për fitore”.
“Fitoi Brian’s, i cili ka dy-tre talente brenda si Marku, Zogaj dhe Ndoka, – vijoi trajneri shëngjinas. – Përgëzoj kundërshtarët për fitoren, ndërsa kampionati do të jetë shumë i gjatë”. Edhe presidenti i Brian’s, Gjergji Filipi, është shprehur i kënaqur për këtë fitore të skuadrës të të rinjve.