AlbanianSport.com 29/05/2019 20:30
ASNN – Kombëtarja e Nën-19-vjeçarëve do të luajë dy ndeshje miqësore me Kosovën. Në listën e lojtarëve të grumbulluar bien në sy emra të rinj si: Shiba, Lucaj dhe Selishta në mbrojtje, Asllani në mesfushë dhe Ajazi në sulm. Përveç këtij fakti, nga lista prej 22 lojtarësh të grumbulluar nga trajneri Nevil Dede, 12 prej tyre luajnë në kampionatin shqiptar. “Deri diku, kjo skuadër po formohet, – ka thënë trajneri. – Ka marrë një fytyrë, një fizionomi.”
“Strategjia e zyrës tonë përkatëse është që të shohim sa më shumë futbollistë nga Shqipëria, – ka vijuar ish-futbollisti kuqezi. – Këtë e kam deklaruar që në fillim. Arsyeja e parë dhe e vetme për këta futbollistë që marrin pjesë në klubet shqiptare është që të ketë respekt dhe vëmendje. Veç kësaj, i duhet dhënë oksigjen ekipeve shqiptare, pasi kanë edhe një sërë ekipesh zinxhir. Duhet të përmirësohen në procesin e rritjes dhe të jenë sa më funksionalë.”
“E para është zgjedhja e elementit më të mirë, – ka theksuar Dede. – Strategji apo ide që duam të ushqejmë futbollin shqiptar. Aty pastaj problematika është se cilët janë më të mirët. Për të furnizuar ekipin e Nën-21-vjeçarëve dhe Kombëtaren e të rriturve më pas.” Për këto dy miqësore, nuk kanë mundur të vijnë të gjithë lojtarët, të cilëve Federata Shqiptare e Futbollit u ka dërguar ftesa. Dhe arsyet janë disa. “Ne i vëzhgojmë gati të gjithë, kudo që ndodhen”, – ka sqaruar trajneri i Nën-19-vjeçarëve kuqezinj.
“Federata ka strukturat e saj edhe në shtetet e tjera të Evropës dhe marrim informacion sa më të plotë dhe të saktë, – ka vijuar ai. – Nëse këta luajnë rregullisht, dërgojmë ftesa dhe shohim se si përshtaten me mjedisin. Mungesa? Përqindja më e madhe e lojtarëve janë të pranishëm. Por, duke qenë këto data, dikush mungon për impenjime të shkollës dhe të tjerë luajnë në “play-off”-e. Ne me 3 dhe 5 qershor 2019 kemi ndeshjet zyrtare miqësore.”
“Dikush është ende në aktivitet. Bozhani mungon sepse klubi i tij merr pjesë në “play-out”. Edhe disa emra të rinj, duhet ta shpjegojmë se kemi parë një pjesë. Ky është proces që ka edhe ndryshime. Nuk është se nuk i kemi nën vëzhgim dhe vëmendje”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve, Nevil Dede. Miqësoret me Kosovën do të luhen në datat 3 dhe 5 qershor 2019, përkatësisht në Drenas dhe stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.