AlbanianSport.com 09/11/2021 17:10
ASNN – Trajneri i Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve, Armando Cungu, ka folur të martën foli edhe për objektivat e skuadrës, si dhe për mundësitë që ka pasur gjatë gjithë vitit për të parë elementet që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë veprimtari. Në kuadër të ndeshjeve të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2022 të kësaj grupmoshe, kuqezinjtë e drejtuar nga Cungu janë pjesë e grupit F, së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Të 3 ndeshjet do të zhvillohen në Shqipëri, me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) që është organizatore e këtyre sfidave. “Ka qenë një situatë e vështirë jo vetëm për ne, por për të gjithë Evropën dhe botën për shkak të epidemisë së “Covid-19” dhe nuk ka qenë shumë e lehtë për të parë apo për të përzgjedhur lojtarët më të mirë që janë në lëvizje sa i përket kësaj grupmoshe”, – ka thënë fillimisht trajneri kuqezi.
“Jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën sepse ka lojtarë shqiptarë nga të gjitha vendet e botës, – ka vijuar ai. – Megjithatë për diçka jam i sigurt, që në Shqipëri kemi pasur mundësi të punojmë shumë me seleksionimet dhe jam i bindur që kemi bërë zgjidhjet më të mira, sikurse edhe ata lojtarë që na janë ofruar, kemi pasur mundësinë të shikojmë jashtë Shqipërisë dhe përsëri kemi zgjedhur elementet më të mira dhe kjo nuk është asnjë lloj pishmani, jo vetëm mua, por krejtësisht stafit tonë.”
“Kështu që, mbes me shpresën se këta djem, me vlerat që kanë treguar edhe në ndeshjet që kemi bërë zyrtare apo miqësore, si me Kosovën, por sidomos në Itali, paraqitje shumë e mirë, po kështu edhe me Izraelin dhe në ndeshjet e fundit para 3 javëve me Malin e Zi kanë treguar vlera dhe rezultate të mira dhe tashmë ka ardhur dita e provimit dhe çdo gjë duhet të përmblidhet në këtë ditë provimi”, – ka përfunduar trajneri i Kombëtares së Nën-19-vjeçarëve, Armando Cungu.