AlbanianSport.com 08.10.2014 13:45
ASNN – Pas dy javësh kampionat të Kategorisë së Parë për të rinj, Besëlidhja e drejtuar nga trajneri Alket Kruja ndodhet në vendin e katërt të renditjes, teksa ka katër pikë. E megjithatë, Alket Kruja, në një prononcim për gazetat sportive të ditës, ka deklaruar se është i kënaqur me skuadrën dhe futbollistët që ai stërvit. “Skuadra në dy javët e para ka grumbulluar tre pikë, pas një fitore dhe një humbjeje, dhe ndodhet në vendin e katërt në renditje, – ka deklaruar trajneri lezhjan. – Ne jemi të detyruar për të përgatitur një skuadër dinjitoze në Kategorinë e Parë e të rinjve.’
“Siç ju thash dhe më sipër, në dy javë kemi marrë vetëm një fitore dhe kemi pësuar një humbje, – ka vijuar Kruja. – Por ky është vetëm fillimi i kampionatit dhe nuk duhet të dekurajohemi. Përkundrazi duhet të vazhdojmë stërvitjen dhe përgatitjen e skuadrës sipas programit që ne kemi ndërtuar. Ajo që duhet të bëjmë ne është të vëmë në dukje të metat në mënyrë që skuadra të jetë e përmirësuar në ndeshjet në vazhdim. Skuadra jonë përgatit futbollistët e së ardhmes për Besëlidhjen e të rriturve me të cilën ne ndihemi krenar sepse, deri më tani, ka marrë dy fitore në Kategorinë e Parë.”
“Që do të thotë se ne duhet të ndjekim shembullin e saj, – ka theksuar ai. – Cilësia e futbollit në Lezhë sa vjen dhe rritet. Kujtojmë se në grupin tonë bëjnë pjesë dhe dy skuadra të tjera të qarkut tonë, teksa bëhet fjalë për Akademitë Brian’s dhe Porto. Ne i vlerësojmë për punën që bëjmë, ndërsa ndeshjet me to do të jenë interesante. Sidomos për tifozët lezhjan, që çdo ditë kërkojnë cilësi edhe tek të rinjtë. Ata duan që fëmijët e tyre shumë shpejt të luajnë për ekipet e të rriturve në Kategorinë e Parë dhe në Kategorinë Superiore.”
“Tek ekipi mund të veçoj portierin Geri Aliaj, mesfushorët Albertin Miria dhe Klaudio Ndoka. Dhe me bindje të plotë them se e meritojnë të jenë pjesë e Besëlidhjes. Falënderoj presidentin e Besëlidhjes, Gjokë Ndoka, i cili na ka kompletuar me të gjithë bazën e nevojshme materiale”, – ka përfunduar trajneri i të rinjve të Besëlidhjes, Alket Kruja.