AlbanianSport.com 23/01/2021 21:40
ASNN – Për grupmoshën e Nën-19-vjeçarëve u luajtën ditën e premte dy ҫiftet e para të Kupës së Shqipërisë, me Vllazninë dhe Partizanin që siguruan gjysëmfinalet. Përballjet ndërmjet skuadrave pretendente janë luajtur me sistem grumbullimi në Kompleksin Internacional në Pezë Helmës. Të premten janë luajtur katër ndeshje, nga dy përkatësisht për ҫdo grupmoshë, dhe të shtunën duelet e tjera që kanë përcaktuar ekipet katër skuadrat gjysëmfinaliste.
Kuqeblutë triumfuan ndaj vendasve të Internacionalit, që, pavarsisht se kaloi e para në epërsi me Rushitin, nuk arriti të ruajë rezultatin dhe u përmbysën nga shkodranët që shënuan 3 herë me Papajn në pjesën e parë dhe Nikajn dy herë në pjesën e dytë. Ndërkaq, të kuqtë prisnin Shkëndijën e Tiranës në një derbi me shumë emocione dhe gola. Gjithҫka u mbyll 4-2 për Partizanin që siguron gjysëmfinalen. Të shtunën u zhvilluan dy ҫiftet e tjera gjysëm finale, Tirana-Laҫi dhe Shkodra-Shënkolli.
Shënkolli triumfoi në derbin e veriut ndaj Shkodrës në një ndeshje shumë të luftuar. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 me golat e Daijas dhe Markut, përkatësisht në minutat 22 dhe 38. Marku shënon golin e dytë personal 5 minuta pas fillimit të pjesës të dytë dhe Preloshi në të 78-tën, vulosi rezultatin final 4-0. Dhe, së fundi, Tirana triumfon ndaj Laҫit me rezultatin e pastër 2-0. Bardheblutë kaluan në epërsi në minutën e dytë me Avdiun.
Gol ky që ishte i vetmi për pjesën e parë përtej rasteve të shumta nga të dy skuadrat. Pjesa e dytë fillon me një Laҫ kërkues por Tirana administron mirë energjitë dhe godet në minutën 56-të me Meçulin. Nuk ndryshon asgjë deri në fund dhe fituesit në fuqi të trofeut kalojnë më tej. Ditën e hënë, në orën 11:00, në mjediset e Federatës Shqiptare të Fubollit, do të zhvillohet edhe hedhja e shortit të lirë për të përcaktuar ҫiftet gjysëmfinaliste.