AlbanianSport.com 25.05.2016 17:55
ASNN – Tirana është shpallur “kampione” e Shqipërisë për grupmoshën deri 17 vjeç, pasi mundi Shkëndijë në finale, por vetëm pas 11-metërshave. Tirana e ka fituar më në fund një trofe këtë sezon në futbollin shqiptar.
Klubi kryeqytetas duhet të falënderojë për këtë skuadrën e Nën-17-vjeçarëve, e cila është shpallur “kampione” e Shqipërisë, duke mundur në finale rivalen bashkëqytetase, Shkëndijën e Tiranës.
Suksesi, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, u arrit vetëm pas gjuajtjes së 11-metërshave, pasi koha e rregullt, bashkë me shtesat kishin përfunduar në barazim 1-1.
Tiranasit kaluan në epërsi me anë të Braçes, ndërsa Shkëndija barazoi me golin e Çokajt. Ndërsa goditjet nga pika e bardhë përfunduan 6-5 në favor të bardhebluve, me një gabim të vetëm të bërë nga ekipi i Shkollës së Mjeshtërisë Sportive.
Ishte ky një sukses i merituar i 17-vjeçarëve të Tiranës, të drejtuar nga trajneri Sulejman Mema.