Gjergj Vyshka 20.03.2015 10:55
Ndeshja e dytë miqësore mes Nën-17-vjeçarëve të Shqipërisë dhe Nën-15-vjeçarëve të Italisë, e cila është luajtur dje paradite në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, është mbyllur në barazim pa gola. Takimi nuk u ngjit në nivelin më të lartë, çka u reflektua edhe me rrjetat e paprekura, edhe pse rastet për shënim në dy të dyja portat nuk munguan.
Trajneri Xhemal Mustedanagiç, ndryshe nga takimi i së martës në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, ku luajti me rreshtimin 4-3-3, dje provoi skemën 4-2-3-1 për të krijuar një ide sa më të qartë për mënyrën se si do të luajë përfaqësuesja kuqezi e Nën-17-vjeçarëve në Eliminatoret e Evropianit të kësaj grupmoshe. Në pjesën e parë Ymeraj iu afrua dy herë golit, fillimisht me një goditje të lirë.
Më pas, në të 35-tën, ai goditi me një të djathtë të fortë, prirët me portën, por që nuk gjeti kuadratin. Në fraksionin e dytë vlen të përmendet tentativa nga distanca e Lalajt, që përfundoi ngjitur me shtyllën. Në këtë miqësore, Mustedanagiçi aktivizoi 7 futbollistë që luajnë në kampionatet e moshave në Shqipëri, ndonëse bërthama e ekipit përbëhet nga elementë të formuar në Evropë.
Ndërkohë për italianët, Kean Bioti, sulmuesi i Juventusit, ka pasur disa raste për shënim, por që nuk ka mundur të ndryshojë shifrat e rezultatit. Në përfundim 0-0, ndërsa Italia e Nën-15-vjeçarëve tashmë do të jetë në fushën e lojës më 24 prill 2015 për Turneun e Kombeve, ku të kaltërtit e kësaj grupmoshe do të jenë përballë Anglisë, Egjiptit dhe Japonisë.