Gjergj Vyshka 09.10.2014 07:25
Kuqezinjtë janë mundur nga nordikët, por Mustedanagiç shpreson në kualifikimin e mëtejshëm. Austria, kundërshtari i ardhshëm i tanëve, e nis me një fitore ndaj San Marinos. Për vitin e dytë radhazi, Pogradeci dhe Korça, janë mikpritësit e turit paraeliminator të Kampionatit Evropian të Nën-17-vjeçarëve. E përballë kuqezinjve të trajnerit Xhemal Mustedanagiç janë Norvegjia, Austria dhe San Marino.
Por dje kuqezinjtë, teksa kanë pësuar tre gola nga Norvegjia, e cila ka qenë zot i fushës, e kanë nisur në mënyrën më të keqe të mundshme këtë edicion. Nuk duhet harruar që për dy edicione, më 2011 dhe 2013, kuqezinjtë e kanë kaluar këtë fazë të eliminatoreve.
Edhe pse përballja ka qenë e vështirë, Shqipëria nuk ka rezistuar më shumë se 24 minuta, qysh në momentin që norvegjezët do të shënonin golin e avantazhit, ndërkohë që më pas Norvegjia ka bërë “ligjin” në fushë. 17-vjeçarët e Mustedanagiçit e nisin vrullshëm 40-minutëshin e parë të ndeshjes, teksa qysh në fillim shikojnë më shumë nga porta norvegjeze.
Është Dhamo për Shqipërinë që në minutën e 6-të godet, por topi përfundon ngjitur me traun e portës. Në të 17-tën minutë kuqezinjtë pretendojnë për një 11-metërsh, teksa një prej futbollistëve norvegjezë prek topin me dorë, por nuk ka qenë i tillë për gjyqtarin çek dhe në minutën e 24-t, Norvegjia ka gjetur golin e epërsisë.
Helmertsen i ka kaluar nordikët në epërsi, ndërsa ë pjesën e dytë miqtë kanë shënuar dhe dy herë të tjera, në minutën e 48-të, me Saeterit, dhe me anë të Ajerit, në të 58-tën dhe në fund 3-0 për Norvegjinë. Sakaq në Pogradec, në takimin tjetër të grupit, Austria ka mundur San Marinon, 2-0, me dy gola të Lovriçit, brenda 34 minutave të para.
Norvegji – Shqipëri 3-0
Shënues: Helmersen 24’, Saeter 48’, Ajer 58’
Norvegjia: Haug, Braathen, Barstad, Sandrakumar, Bredeli (Karlajli 75’), Hanson, Saeter, Ajer, Dahl (Stensbi 41’), Grodem (Sandem 58’), Helmersen. Trajner: E. Jonsen.
Shqipëria: Muça, Maloku, Kumanova, Sadik (Rejçeviç 41’), Sykaj, Zeka (Hebaj 59’), Pepsi (Berisha 47’), Kote, Hajrulla, Dhamo, Abara. Trajner: Xh. Mustedanagiç
Gjyqtarë: Z. Proshke, J. Patak (R. Çeke), M. Hos (Ukrainë)
Kartonë të verdhë: Bredeli , Ajer / Berisha, Sykaj
Austri – San Marino 2-0
Shënues: Lovriç 14’, 34’
Austria: Ehman, Augustin, Skrbiç, Çerni, Hojtzinger (Tomiç 41’), Jakupoviç, Filip, Omeroviç (Basara 41’), Hailman, Kolbl, Lovriç (Shmidt 57’). Trajner: M. Zak
San Marino: Markoni, Averhof (De Anxhelis 55’), Cevoli (Banjasko 77’), Fortunati, Frisoni, Gasperoni (Mikeloti 60’), Gati, Xhorxhini, Mularoni, Kuaranta, Sopranzi. Trajner: F. Sperindio
Gjyqtarë: A. Aliev, S. Tergeusizov (Kazakistan), Gj. Bori (Shqipëri)
Karton i verdhë: De Anxhelis