AlbanianSport.com 11.10.2014 15:25
ASNN – Edhe pse ishte ndeshja e dytë për Nën-17-vjeçarët shqiptarë dhe duhet të shikonim më shumë nga sulmi, trajneri Xhemal Mustedanagiç më shumë mendoi për mbrojtjen, pasi kishte rreshtuar në fushë një skuadër që mendonte më shumë për prapavijën. Pjesa e parë kishte një ritëm nën nivelin mesatar, me pak raste për shënim dhe me shumë gabime, më shumë për kuqezinjtë, që nuk hynin dot në zonën austriake. Kjo edhe falë vendosjes në fushë të miqve.
Dy raste të vetme në 40 minuta kanë qenë pak për një ndeshje ndërkombëtare. Ndërkohë që vetëm në minutën e 16-të, mund të përmendet një rast i Kotes, që në një goditje dënimi çon topin fuqishëm në portë dhe grushton portieri austriak. Dy minuta më vonë, Hojtzinger për miqtë provon nga larg, por jashtë. Vetëm këto ishin momentet e vetme të 40-minutëshit, ndërkohë që Austria ishte më e qetë, pasi vinte nga një fitore ndaj San Marinos.
Pjesa e dytë ka një ritëm pak më ndryshe, por jo se ishte e ndonjë niveli të lartë, ndërkohë që sërish tanët luajnë në prapavijë dhe të tërhequr. Kjo ka bërë që në këtë pjesë Shqipëria të mos shënojë asnjë rast të vetëm. Ndërkohë që në minutën e 49-të të kësaj pjese, pas një goditje dënimi për autriakët, është Jakupoviç, që jep sinjalin e parë me një goditje dënimi, por grushton portieri Muça. Dy minuta më vonë do të vinte edhe goli i epërsisë për Austrinë.
Pas një zbritjeje të shpejtë është Jakupovic që me të majtën, në hyrje të zonës, e dërgon topin në trekëndëshin e portës kuqezi, duke kaluar të tijtë në avantazh. Edhe pas pësimit të golit, Shqipëria nuk reagon aspak. Ndërkohë që në minutën e 70-të, Kumanova bën më të keqen e mundshme brenda zonës, pasi përballë portës e nxjerr topin jashtë. Kur pritej vërshëllima e fundit e ndeshjes, vjen edhe goli i dytë i Nën-17-vjeçarëve të Austrisë.
Është Filip, në minutën e parë të shtesë, pas një krosi nga krahu i majtë, gjuan me kokë dhe 2-0. Përfundimisht Austria gëzon pas përfundimit të ndeshjes, pasi ka siguruar kalimin më tej, ndërkohë që Shqipërisë tashmë i duhet të presë të luajë për ta fituar ndeshjen e fundit ndaj San Marinos ditën e hënë, e cila është thjesht për statistikë.
Austri – Shqipëri 2-0
Shënues: Jakupoviç 51’, Filip 80’+1
Austria: Ehman, Augustin, Skrbiç, Hojtzinger (Basar 74’), Jakupoviç (Shmidt 80’), Opong (Çerni 80’+3), Filip, Omeroviç, Hailman, Prirsh, Lovriç. Trajner: M. Zak
Shqipëria: Muça, Maloku, Kumanova, Sadik (Dhamo 41’), Sykaj, Pepsi (Zeka 57’), Hebaj, Kote, Hajrulla, Ngjela (Poçi 65’), Abara. Trajner: Xh. Mustedanagiç
Gjyqtarë: O. Derdo, M. Ços (Ukrainë), S. Tergeusizov (Kazakistan)
Kartonë të verdhë: Hojtzinger, Filip, Lovriç, Basara / Sadik, Abara