AlbanianSport.com 29/10/2018 20:40
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve në futboll e ka mbyllur me një fitore përballë bashkëmoshatarëve të Azerbajxhanit aventurën e saj në grupi eliminator të Evropianit të kësaj grupmoshe, që i luajtur ndeshjet në Shqipëri. Ndeshja e luajtur në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka folur më tepër për miqtë në pjesën e parë, pasi azerët kanë qenë më të saktë në fazën sulmuese, por pa e gjetur dot golin.
Ndeshja do të vështirësohet për miqtë në minutën e 33-të, kur Shikhamirov ndëshkohet me karton të kuq dhe e lë përfaqësuesen e Azerbajxhanit me 10 lojtarë. Kuqezinjtë e vegjël të drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç kanë përfituar dhe, në një kundërsulm, do të fitojë me anë të Sulollarit të drejtën e 11-metërshi një minutë para përfundimit të pjesës së parë. Mitaj nuk gabon nga pika e bardhë dhe Shqipëria e Nën-17-vjeçarëve kalon në epërsi.
Me këtë epërsi minimale të kuqezinjve mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të jenë të luftuara, me një lojë të hapur nga ana e të dyja skuadrave. Ndonëse me një lojtar më pak, azerët kanë luftuar deri në fund, duke rrezikuar madje të gjejnë edhe golin e barazimit. Minutat e fundit kanë qenë nervoze dhe të shëmtuara, pasi përfaqësuesja e Nën-17-vjeçarëve të Azerbajxhanit do të mbetet me 8 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq edhe të dy futbollistëve të tjerë. Përfundimisht, Shqipëria fiton 1-0 dhe e mbyll grupin e 8-të eliminator në vendin e 3-të, me 3 pikë, duke i lënë azerët prapa.