AlbanianSport.com 26/02/2018 14:20
ASNN – Kombëtarja e futbollit për grupmoshën e Nën-17-vjeçarëve ka nisur grumbullimin e fundit disaditor, i cili do të zhvillohet në Durrës. Trajneri i Nën-17-vjeçarëve kuqezinj ka grumbulluar këtë radhë 23 lojtarë, ku 7 prej tyre vijnë për herë të parë në këtë kombëtare. Trajneri Xhemal Mustedanagiç ka theksuar se pas këtij grumbullimi do të përzgjedhë më pas edhe lojtarët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në turneun e ardhshëm.
“Kemi një brez futbollistësh të talentuar futbollistësh, – ka theksuar boshnjaku. – Sidoqoftë, në ditët në vijim, nëse do të gjej futbollistë të tjerë më të mirë se këta, patjetër do të t’i thërras në ekip. Në fakt, janë edhe tre lojtarë që luajnë me Olimpiakosin, por klubi grek nuk u dha leje që të vijnë në këtë grumbullim. Janë me të vërtetë lojtarë shumë të mirë. Mua më shërbejnë, sepse siç e dini më pëlqen loja sulmuese, pavarësisht se cilin kundërshtar kemi përballë.”
Pas këtij grumbullimi, kombëtarja shqiptare e Nën-17-vjeçarëve do të marrë pjesë në një turne që zhvillohet në San Marino, nga data 19, deri më 24 prill 2018. Përballë do të ketë kundërshtarë të tillë si Rumania, Italia dhe San Marino. Ndërsa në shtator, gjatë një tjetër, grumbullimi kuqezinjtë e grupmoshës deri në 17 vjeç, do të luajnë disa miqësore të tjera me Kosovën, Malin e zi ose Maqedoninë. Për të ardhur më pas në muajin tetor, kur do të luhen ndeshjet e para të eliminatoreve në të cilat, trajneri Mustedanagiç shpreson kualifikimin.