AlbanianSport.com 08/03/2021 16:25
ASNN – Vazhdon grumbullimi 3-ditor i Kombëtares së Nën-17-vjeçarëve nën urdhrat e trajnerit Ervin Bulku, i cili ka thirrur të gjithë lojtarët e vitlindjes 2005-2006 që synojnë të luajnë me ekipet e moshave kuqezi. Nga lista me 26 lojtarë, vetëm 6 prej tyre vijnë nga klube të huaja, ndërsa pjesë tjetër aktivizohet në kampionatin shqiptar të kësaj grupmoshe.
Në seancën e parë stërvitore të zhvilluar të hënën në Tropikal të Durrësit, trajneri Bulku kishte në dispozicion të gjithë lojtarët e ftuar për këtë përzgjedhje dhe, për më shumë se 1 orë e gjysmë stafi teknik pati mundësinë të shikonte të gjithë parametrat e tyre fizike dhe taktike. Elementët e përzgjedhur për këtë grumbullim janë ndjekur me kujdes më parë nga stafi teknik.
Por edhe specialistët e sektorit të ekipeve kombëtare në ekipet përfaqësuese rajonale si edhe në seleksionimet, që trajneri Bulku zhvilloi një javë më parë. Gjatë këtij viti janë planifikuar disa grumbullime përzgjedhëse, në mënyrë që stafi teknik të ketë mundësi të ndjekë të gjithë lojtarët e talentuar që luajnë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Të mërkurën më datë 10 mars, në orën 11:00, kuqezinjtë do të zbresin në fushën e lojës për një ndeshje miqësore me bashkëmoshatarët e tyre të Teutës.