Gjergj Vyshka 27.10.2014 19:45
Ndodh përsëri në kryeqytet, në një lojë që të paratërinjtë e kuq ishin duke e fituar. Në minutën e 76-të, gjyqtari i ndeshjes është ofenduar nga prindi i një lojtari dhe më pas është goditur me grusht nga 17-vjeçari Markovanbasten Cema. Ndodh përsëri në kryeqytet, ndërsa në ish-kompleksin Dinamo, atje ku ishte duke luajtur Partizani-Olimpik për Nën-17-vjeçarët, është goditur gjyqtari kryesor i ndeshjes.
Gjithçka ka ndodhur me “bilbilin” kryeqytetas Albano Stolaj, i cili në minutën e 76-të, atëherë kur Partizani kryesonte 1-0, ka nisur të ofendohet nga një prind i një futbollisti të Olimpikut. Prindi i lojtarit ka qenë në rrethimin e jashtëm të fushës me bar artificial të ish-kompleksit blu. Në momentin që Stolaj ka shkuar të sqarohet me prindin, nga prapa ka ardhur lojtari i Olimpikut dhe e ka goditur me grusht.
Në moment Stolaj ka pasur dhe një trullosje të lehtë, duke rënë në tokë, kurse ndërhyrja e të tjerëve, por dhe e forcave të rendit, ka bërë që tensioni të mos vazhdonte më tej. Por për pamundësi fizike, edhe pse deri në përfundim të ndeshjes kishin mbetur dhe katër minuta, ndërsa Partizani kryesonte 1-0, Stolaj e ka ndërprerë takimin dhe gjithçka tani do të vendoset nga disiplina.