AlbanianSport.com 24/02/2021 13:25
ASNN – Ekipi Kombëtar i Nën-17-vjeçarëve do të zhvillojë të enjten, më datë 25 shkurt 2021, një përzgjedhje me lojtarë të vitlindjeve 2005-2006, nën drejtimin e trajnerit të ri Ervin Bulku. Kjo mund të quhet edhe premiera e Bulkut, i cili u emërua në këtë post pak javë më parë dhe tani do të nisë punën në terren.
Në këtë përzgvjedhje, që nis në ora 10:30 në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz, do të jenë të ftuar rreth 45 lojtarë, të cilët aktivizohen që të gjithë në kampionatin shqiptar. Synimi i trajnerit kuqezi është që evidentojë të gjithë të talentuarit e moshës 16 dhe 15 vjeç.
Pra, lojtarë që mund të jenë të vlefshëm për ekipin Kombëtar të Nën-17-vjeçarëve. Duke mbajtur nën vëzhgim të gjithë elementët e perspektivës, stafi teknik do të ketë mundësinë të ndërtojë gradualisht bazat e skuadrës së të ardhmes dhe gjithashtu furnizimi i ekipeve kuqezi të moshave me lojtarë të rinj.
Duke qenë se aktualisht ekipi kombëtar i Nën-17-vjeçarëve nuk ka ndeshje zyrtare të parashikuara në program për momentin, trajneri Ervin Bulku po përgatit grupin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të 2022-shit për këtë grupmoshë.