AlbanianSport.com 09/09/2021 23:10
ASNN – Testi i radhës kuqezi, Nën-17-vjeçarët e Ervion Bulkut triumfojnë ndaj Kombëtares së Nën-18-vjeçarëve të Ardi Beharit. Kështu, trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave vijojnë të testojnë skuadrat e tyre në ndeshje miqësore. Këtë të enjte, në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare në Kamëz, Shqipëria e Nën-17-vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku zhvilloi një ndeshje miqësore ndaj skuadrës së Nën-18-vjeçarëve, e drejtuar nga Ardi Behari. Sfida përfundoi me rezultatin final 2-0 në favor të Kombëtares së Nën-17-vjeçarëve, me kuqezinjtë e Bulkut të cilët shfrytëzuan saktë dy raste, duke i shndërruar në gola.
Formacioni i Kombëtares së Nën-17-vjeçarëve ishte Kiri, Basha, Koleci, Marku, Kurti, Lulaj, Tresa, Kasmollari, Zaganjori, Ageja dhe Xhixha, ndërsa gjatë lojës u aktivizuan edhe Totoshi, Kurti, Kashari, Reçi, Muça, Guci dhe Mata. Ndërkaq, formacioni i Kombëtares së Nën-18-vjeçarëve ishte Jata, Stafa, Çipi, Merkaj, Kreka, Bajraktari, Topi, Shala, Trifoni, Velaj dhe Kaçanolli. Gjatë lojës u aktivizuan edhe Biba, Sota, Borova, Thaleb; Jushi, Kote, Cungu, Çereni, Thana, Gora. Sfida nis e qetë për të dyja skuadrat, që kërkojnë raste, por goli do të vinte vetëm në minutën e 12-të të takimit, me Skerdi Xhixhën.
Ai shënoi për Nën-17-vjeçarët, duke i kaluar në epërsi. Loja vazhdon kërkuese për të dyja skuadrat, me kuqezinjtë e Beharit të cilët kërkonin golin e barazimit. Në minutën e 26-të të ndeshjes janë sërish të besuarit e Bulkut që gjejnë rrugën e rrjetës. Orsi Ageja dyfishon rezultatin për Kombëtaren e Nën-17-vjeçarëve. Pak minuta para përfundimit të pjesës së parë, Velaj humb rastin e artë për të shndërruar në gol një 11-metërsh, që do të shkurtonte rezultatin. Pjesa e parë mbyllet në epërsinë e Shqipërisë së Nën-17-vjeçarëve. Edhe pjesa i dytë i ndeshjes është kërkuese nga të dyja ekipet, me trajnerët që vendosin të freskojnë lojën.
Por edhe të testojnë edhe futbollistët e tjerë të grumbulluar. Përpos rasteve të krijuara nga të dyja ekipet, por rezultati mbetet i njëjti deri në fund të sfidës. Në këtë miqësore ishte i pranishëm edhe trajneri i ekipit kombëtar të të rriturve, Edoardo Reja, zv.trajneri Serxhio Porrini si dhe Drejtori Teknik, Xhankarlo Kamoleze, të cilët panë nga afër talentet e reja që mund të jenë potencial për të ardhmen e Kombëtares. Kjo ndeshje u shërbeu dy trajnerëve për të parë nga afër elementet e që kanë në skuadër dhe të shohin nivelin e tyre.