AlbanianSport.com 19/04/2019 19:20
ASNN – Skuadra kombëtare e grupmoshës deri në 16 vjeç në futboll zhvilloi këtë të premte ndeshjen e fundit në kuadër të “Turneut Ndërkombëtar U1-6” (International U-16 Tournament) që po zhvillohet në Turqi. Kuqezinjtë drejtohen nga trajneri Elvin Beqiri, ish-qendërmbrojtës i skuadrës përfaqësuese.
Të premten, kuqezinjtë e kësaj grupmoshe mposhtën moshatarët e tyre të Lituanisë, me rezultatin e thellë e të pastër 3-0. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të Shqipërisë së Nën-16-vjeçarëve, por akoma më mirë luajtën kuqezinjtë e vegjël në pjesën e dytë.
Ishte fillimisht Neziri që dyfishoi epërsinë, kurse në minutën e 77-të shënoi Çereni golin e tretë që i vu “kapak” fitores së kuqezinjve të trajnerit Elvin Beqiri. Duhet thënë se skuadra e Shqipërisë Nën-16 vjeç e nisi ndeshjen me këtë formacion: Simoni; Zhuzhi; Pano; Zabeli; Kurbasha; Neziri; Kote; Stafa; Halili; Bajraktari; Çereni.
Vlerësuar në përgjithësi, kjo ishte hera e parë që ekipi i 16-vjeçarëve kuqezi të trajnerit Beqiri u paraqit mirë, pas disa zhgënjimesh radhazi në turnetë e UEFA-s. Më poshtë jepen rezultatet që shënoi ekipi kuqezi në turneun turk.
15 prill 2019 Shqipëri – Bjellorusi 1-0
17 prill 2019 Turqi – Shqipëri 1-0
19 prill 2019 Lituani – Shqipëri 0-3