AlbanianSport.com 22/11/2018 16:50
ASNN – Malit të Zi ia kemi marrë dorën, Shqipëria e Nën-15 vjeçarëve fiton 3-0, regjistrohet goli më i shpejtë kuqezi. Skuadra kombëtare e Nën-15-vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Eqerem Memushaj, zhvilloi sot një ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së Malit të Zi për këtë moshë, duel që u fitua nga kuqezinjtë me shifrat 3-0.
Takimi që u luajt në Stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër ishte pozitiv për ekipin e Memushajt, që e dominoi ndeshjen dhe e meritoi fitoren. Golin e parë e shënoi Cereni kur kishin kaluar vetëm 9 sekonda lojë. Ky ishte goli më i shpejtë i regjistruar ndonjëherë nga skuadrat kombëtare të Shqipërisë.
Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë 35-minutëshe, kurse në pjesën e dytë kuqezinjtë gjetën edhe dy herë të tjera rrjetën, fillimisht Maksuti në minutën e 40-të si dhe Halilaj në minutën e 53-të. Kjo ishte miqësorja e parë midis përfaqësueseve të Nën-15-vjeçarëve të dy vendeve fqinje.
Sepse, më 24 nëntor, ora 11:00, pra të shtunën, është planifikuar një tjetër ndeshje miqësore, por këtë herë në Podgoricë të Malit të Zi. Kuqezinjtë e vegjël kanë një numër të mirë lojtarësh cilësorë që mund t’u ngjiten më vonë ekipeve kombëtare të moshave më të rritura, për të qenë garant për ekipin përfaqësues në vijimësi.