AlbanianSport.com 01/03/2021 22:25
ASNN – Ekipi Kombëtar i Nën-15-vjeçarëve ka nisur të hënën një grumbullim 3-ditor ku janë ftuar lojtarët e spikatur të vitlindjes 2007, të cilët aktivizohen me klubet shqiptare. Nën urdhrat e trajnerit kuqezi, Armand Dama, janë vënë 23 lojtarë me skuadrën që është grumbulluar në Kompleksin “Tropikal” në Durrës. Duke folur për grumbullimin dhe emocionet e të veshurit të fanellës kuqezi, Jetmir Laze, një nga lojtarët e Kombëtares së kësaj grupmoshe, u shpreh se ky grumbullim është një pëvojë e mirë për grupin.
“Ky grumbullim është shumë i mirë për ne si lojtarë, – ka deklaruar ai, duke folur për faqen zyrtare në Internet të organizmit që qeveris futbollin në vend. – Na bën që të kemi përvoja më të mira në grup. Atmosfera e grupit është shumë e mirë. Dëshira ime është që me punë të arrij edhe Kombëtaret e mëtejshme. Ëndrra ime është Kombëtarja e madhe. Ndërsa Tedi Malaj u shpreh i lumtur nga ky grumbullim, duke theksuar se atmosfera në ekip është mjaft e ngrohtë. “Atmosfera në grup është shumë e ngrohtë”, – ka thënë ai.
“Grumbullimi është në kushte shumë të përshtatshme, – ka vijuar Malaj. – Ndihem mirë me shokët, ambienti është i ngrohtë. Shpresoj që me vullnet dhe punë të arrij të luaj në të gjitha Kombëtaret e moshave dhe në Kombëtaren e madhe.” Hetem Lushaj, një tjetër futbollist i Kombëtares nuk e fshehu dëshirën për t’u bërë pjesë e Kombëtares së madhe një ditë. “Atmosfera në grup është shumë e mirë, – tha ai. – Në këtë grumbullim ndihem shumë mirë, ngaqë jam një lojtarët e përzgjedhur. Shpresoj ta vazhdoj rrugëtimin, duke bërë shumë stërvitje dhe shumë punë.”
“Dëshira ime është që të arrij te Kombëtarja e madhe”, – u shpreh Lushaj. Mësohet se lista e Kombëtares së Nën-15-vjeçarëve ka pësuar një ndryshim, me Etem Xhemalin që nuk është grumbulluar për shkak të problemeve shëndetësore dhe në vend të tij është grumbulluar Epaminonda Kristidhi. Përveç stërvitjeve që po zhvillojnë në Durrës, kuqezinjtë do të luajnë dhe një ndeshje miqësore me Nën-15-vjeçarët e Teutës, ndeshje që do t’i japë trajnerit Armand Dama mundësinë të provojë të gjithë lojtarët.