AlbanianSport.com 06/07/2020 21:15
ASNN – Apolonia-Internacional Tirana është finalja e madhe e Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Nën-15-vjeçarët, ndeshje që do të luhet ditën e mërkurë, më 8 korrik, duke filluar nga ora 18:30, në stadiumin “Elbasan Arena”. Ky është sezoni i parë që zhvillohet një kampionat i tillë për këtë grupmoshë, një risi e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), që, nga sezoni i ardhshëm, do të organizojë garë kombëtare edhe për Nën-13-vjeçarët.
Apolonia vjen në këtë finale si fituese e Grupit B, duke arritur të renditet mbi Teutën dhe Skënderbeun, që ishin dhe rivalët më të fortë të këtij grupi. Në çerekfinale fierakët mposhtën Akademinë e Futbollit dhe Skënderbeun. Në anën tjetër, Internacionali ka kryesuar bindshëm dhe me meritë Grupin A, ku, në 18 javë, ka arritur 17 fitore dhe vetëm një humbje. Në fazën e “play-off”-it, kryeqytetasit kaluan SH.F. “Pepa” dhe Tiranën.
Ndeshja finale do të ndiqet me interes edhe nga stafet e ekipeve kombëtare për të evidentuar gjendjen e lojtarëve të talentuar, të cilët aktivizohen në këto dy skuadra. Ndërkaq, është zhvilluar të dielën ceremonia e dorëzimit të Kupës për ekipin “kampion” të Kampionatit të Nën-19-vjeçarëve, që organizohet nga Zyra Rajonale e FSHF-së në Tiranë. Ka qenë ish-futbollisti i mirënjohur i Kombëtares shqiptare, Sulejman Demollari i dorëzoi trofeun Tiranës.
Bardheblutë e drejtuar nga trajneri Alpin Gallo arritën të triumfojnë duke mbyllur sezonin në vendin e parë. Ceremonia u zhvillua në përfundim të ndeshjes Tirana-Kamza, që u mbylle me fitoren 3-1 të bardhebluve dhe që u luajt në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamzë.