AlbanianSport.com 09.10.2014 14:55
ASNN – Ndërkohë që opinioni sportiv shqiptar është përqendruar në dy ndeshjet e radhës së Kombëtares kuqezi të futbollit, me Danimarkën të shtunën, por sidomos me Serbinë javën e ardhshme, nga një tjetër sport, ai i çiklizmit, vjen një lajm interesant. Është një çiklist serb, Marko Stojanoviç, ai që kryeson renditjen e përgjithshme individuale të Rrethit të 71-të Çiklistik i Shqipërisë.
Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, i cili është në fakt gara e 3-të më e vjetër çiklistike në Evropë, pas Turit të Francës dhe Xhiros së Italisë, vazhdon rrugëtimin e edicionit të tij të 71-të dhe, deri më tani, duke lënë mënjanë prologun e zhvilluar të hënën në kryeqytet, janë zhvilluar 3 etapat e para të tij.
Ajo që tërheq vëmendjen, është fakti se, ndërkohë që opinioni sportiv shqiptar është përqendruar në dy ndeshjet e radhës së Kombëtares kuqezi të futbollit, me Danimarkën të shtunën, por sidomos me Serbinë javën e ardhshme, renditjen e përgjithshme individuale të Rrethit të 71-të Çiklistik të Shqipërisë e kryeson një serb.
Ai është Marko Stojanoviçi, çiklisti i ekipit të Novi Pazarit, i cili mbërriti i dyti në finish në prologun e së hënës në Buleverdin Dëshmorët e Kombit, i pari në etapën e dytë, Shkodër Burrel, si dhe i dyti në etapën e tretë, Burrel-Durrës. Serbi i ka përshkruar 3 etapat e deritanishme me kohën 8 orë, 16 minuta e 51 sekonda.
Ai ka lënë prapa dy çiklistët shqiptarë, Hyrmet Kastratin e Teutës, me 8 orë, 18 minuta dhe 38 sekonda, si dhe Paolo Brrakën e Apolonisë, me 8 orë, 18 minuta dhe 46 sekonda. Ndërkohë, Shqipëria ngushëllohet me faktin se renditjen e përgjithshme ekipore e kryeson Apolonia, me kohën e përgjithshme prej 24 orësh e 33 minutash, e ndjekur nga ekipi serb i Novi Pazarit dhe ai maqedonas i Kumanovës.