Gjergj Vyshka 18.06.2015 21:15
“Ne jemi Tirona”. Ky është dokumentari më i ri sportiv që vjen në 95-vjetorin e themelimit të klubit sportiv bardheblu, historia e të cilit nis që më 15 gusht, ndërsa në arkiv mes shumë trofeve janë 24 tituj kampion. Shumë drejtues, shumë emra lojtarësh, trajnerësh, doktorrësh, masazhatorësh, kuzhinierësh e magazinierësh, por mbi të gjitha tifozësh, të cilët përbëjnë një histori të bukur të kësaj Tirone, e cila është emblema më e madhe dhe më e bukur e kryeqytetit.
Pikërisht për këtë gjë skenaristi Gerti Selenica, regjisori Armand Vllahu dhe gazetari Sajmir Demi për fakteve dhe intervistave janë përpjekur të përmbledhin historinë 95-vjeçare të futbollit të Tiranës. Nis me periudhën e paraçlirimit, atje ku Tirana do të merrte gati shtatë tituj “kampion”, ndërsa për ironi të jetës futbollistike të bardhebluve nuk i njihen sot e kësaj dite trofetë e viteve 1939-1942. Dhe e gjithë kjo histori e ka një fillesë që vjen nga Selman Stërmasi, të cilin regjimi komunist do ta përndiqte vetëm se nuk pranoi që klubit t’i vihej emri 17 Nëntori, por të mbeste siç është në aktin e themelimit Sport Klub Tirana.
E megjithatë nën fidanishten e Xhavit Demnerit, Tirana do të niste të krijonte brezat e saj të cilat do të jepnin më vonë jo vetëm kampionate e Kupa të Shqipërisë, por dhe pjesëmarrje dinjitoze në Kupat e Evropës me Kilmarnokun, Ajaksin dhe Standardin e Liezhit. Dhe më pas një periudhë tjetër e artë do të vinte në vitet 1980-1990 me të mëdhenjtë Arben Minga e Agustin Kola. Për të kaluar më pas, gjatë viteve të demokracisë, në periudhën e trofeve me presidentët Metush Seferi, Lutfi Nuri, El Sajed, apo dhe katërshes së donatorëve e deri tek sot Refik Halili.
Pikërisht e gjithë historia e Tiranës në këtë dokumentar prej një orë e dhjetë minuta ka ardhur nëpërmjet intervistave të bashkëshortës së Selman Stërmasit, gazetarit Fatmir Mëneri, fotografit Adnand Hyka, presidentëve Metush Seferi, Lutfi Nuri, Refik Halili, tifozit Qemal Masha, mjekut Manush Thanasi, ish-futbollistit Nuri Bylyku, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Shyqyri Rreli, Millan Baçi, Agustin Kola, Krenar Alimehmeti, Indrid Fortuzi, Devi Muka e Ervin Bulku.
E pse jo dhe kujtimeve të këpucarit e më pas fizioterapistit Met Hyka. Sigurisht një dokumentar që ka ardhur nën sponsorizimin e kompanisë EDS, Bashkisë së Tiranës e Klubit të Futbollit Tirana. Një dokumentar që mbetet si arkivë për historinë e Tiranës, që në fund të fundit është e të gjithë tifozëve bardheblu, qofshin të majtë e të djathtë. E megjithatë dokumentari “Ne jemi Tirona…!” mbetet një vlerë historike për klubin bardheblu në 95-vjetorin e themelimit të saj duke shpresuar që shpejt ky klub do të kthehet tek trofetë e munguar.