AlbanianSport.com 23.09.2014 07:55
ASNN – Në Gjirokastër, Luftëtari i Bledar Devollit ka nisur përgatitjet për javën e parë të kampionatit, ndërsa të gjithë kanë pyetur se çfarë do të ndodhë me atë garë pas dy shtyrjeve të njëpasnjëshme nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila rrezikon ta kthejë Kategorinë e Parë si në kohën e kampionateve të kooperativave, apo dhe spartakiadave.
Skuadrat duhet të jenë gati në çdo moment që FSHF do të vendosë të japi urdhërin për fillimin e garës. Dhe dje të besuarit e trajnerit Bledar Devolli, në ora 16:00, kanë zbritur në fushën e stërvitjes me idenë e përgatitjes së ndeshjes së parë, atë që do të luajnë ndaj Dinamos në Gjirokastër.
Disa nga futbollistët bluzinj të Luftëtarit kanë kaluar dhe rikuperuar dëmtimet e marra gjatë seancave të stërvitjes, ndërsa një i tillë është dhe mbrojtësi fierak Ervin Sulejmani. Ai i pësoi një dëmtim dy ditë përpara se të startonte kampionati më 13 shtator, por për të duket se ka qenë me fat shtyrja e kampionatit, sepse tani e ka kaluar dëmtimin, ndërsa do të jetë qind për qind gati për përballjen ndaj Dinamos.