AlbanianSport.com 18.10.2014 22:45
ASNN – Në atë që ishte një miqësore historike, e para midis përfaqësueseve të dy vendeve fqinje në nivelin e të rriturve, Italia ka mundur Shqipërinë me rezultatin 1-0 falë një goli të Okakës, ose më saktë autogoli në të 83-tën nga Salihi. Ndeshja miqësore e zhvilluar në “Luixhi Ferrari” të Xhenovas dhuroi mjaft raste, ndërsa shqiptarët arritën të godisnin edhe traversën e portës italiane, përmes Cikalleshit.
Skuadra e trajnerit Xhovani De Biazi nisi më mirë se të kaltrit. Por, italianët falë këshillave të Kontes neutralizuan kuqeznjtë dhe dolën në sulm, me Çerçin dhe Xhovinkon si më të rrezikshmit. Megjithatë, pjesa e parë përfundoi me rezultatin e bardhë 0-0. Pjesa e dytë foli më shumë për italianët, të cilët nisën mjaft mirë me dy raste nga Destro dhe Xhovinko, të ndaluar respektivisht nga Cana e portieri Berisha.
Rasti më i pastër për tanët do të erdhi në minutën e 65-të, kur Çikalleshi shfrytëzoi mjaft mirë një gabim të De Silvestrit dhe u gjend i vetëm përballë portierit Sirigu. Shtatlarti goditi traversën dhe topi u kthye në këmbët e Lenjanit i cili shpërdori i vetëm përballë portës së boshatisur italiane një mundësi të artë. Pas kësaj si De Biazi, ashtu edhe Konte realizuan një stuhi zëvendësimesh, 6 për skuadër.
Dhe, për rrjedhojë loja u zbeh nga ndërprerjet e shumta. Minuta e 83-të do të ishte dhe minuta golit. Sulmuesi Italian Okaka fluturoi mbi të gjithë dhe goditi topin me kokë, Salihi i cili ishte aty pranë i dha devijimin e fundit topit që përfundoi në rrjetë pas shpinës së Berishës. Ndeshja përfundoi me rezultatin 1-0, në një klimë feste. Të ardhurat e këtij takimi miqësore do të shkojnë për të prekurit nga stuhitë në veri të Italisë.