AlbanianSport.com 20.04.2016 22:05
ASNN – Siç dihet, gara për titullin “kampion” në Kategorinë Superiore ka hyrë në një fazë kulmore dhe për këtë, Federata Shqiptare e Futbollit supozohet të kujdeset më shumë për shpërndarjen e orareve të ndeshjeve vendimtare, që japin verdiktet mbi objektivat konkretë. Ngushtimi i hendekut të pikëve mes Skënderbeut kryesues dhe Partizanit, por gjithashtu gara për vendet e tjera që të çojnë në Evropë, ka bërë që dy sfidat kryesore të zhvendosen të hënën e 25 prillit 2016.
Kështu ishte njoftuar fillimisht, sepse Skënderbeu do të luante në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet ndaj Tiranës, të hënën në orën 19:00. Në po të njëjtën ditë, por në orën 16:00, Partizani do luante ndaj Kukësit në fushën e këtij të fundit. Teuta supozohet të luante këtë të shtunë ndaj Tërbunit, ndërsa të dielën do të zhvilloheshin, ndërkohë, ndeshjet Vllaznia-Flamurtari dhe Bylisi-Laçi, të dyja në orën 16:00.
Por tanimë gjithçka ka ndryshuar dhe ndeshjet e javës së 31-të të Kategorisë Superiore do të zhvillohen ditën e diel dhe të hënë. Kalendari për këtë javë ka ndryshuar përsëri, ku ditën e diel, më 24 prill do të luhet vetëm një ndeshje, ajo e orës 16:00 midis Vllaznisë dhe Flamurtarit, ndërsa katër takimet e tjera do të luhen të hënën, 3 prej tyre, Tërbuni-Teuta, Bylisi-Laçi dhe Kukësi-Partizani, duke nisur nga ora 16:00, ndërsa tjetra, Tirana-Skënderbeu, duke nisur nga ora 19:00.