AlbanianSport.com 26/06/2020 15:25
ASNN – Superliga e Kosovës Prishtina e Ballkani kanë fituar vetëm nga një pikë të enjten, kur u luajtën tri ndeshjet e fundit të xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në futboll. Prishtina ka luajtur në Podujevë ndaj Llapit, ndërsa ndeshja u mbyll 1-1. Ahmed Januzi kaloi në epërsi Prishtinën në minutën e 25-të, ndërsa Mentor Zhdrella shënoi një gol të bukur nga goditja e dënimit në minutën e 52-të për të fiksuar rezultatin përfundimtar në 1-1.
Me këtë barazim Prishtina është e dyta me 51 pikë, por, ky rezultat ka bërë që Drita të shkëputet në krye të tabelës së renditjes. Drita kryeson me 55 pikë, ndërsa Gjilani i vendit të 3-të ka po ashtu 51 pikë, i ndjekur në vendin e 4-t nga Ballkani, me një pikë më pak. Edhe Ballkani po ashtu ka lëshuar pikë të rëndësishme të enjten, në garën për titull, teksa është ndalur në barazim 1-1 në Ferizaj. Arbër Prekazi shënoi për Ballkanin në minutën e 17-të kurse një pikë Ferizaj e fitoi falë golit të shënuar nga Albin Krasniqi në minutën e 78-të.
Fitues nuk ka patur as ndeshja midis të Feronikelit e Drenicës, që përfundoi me rrjeta të paprekura. Por Drenica ka fituar një pikë vyer në garën për mbijetesë dhe tanimë renditet e 7-ta me 35 pikë.