AlbanianSport.com 22/11/2018 22:20
ASNN – Shkëndija është “tërmet”, tjetër fitore dhe thellon kryesimin në Maqedoni. 5-0 ishin shifrat që u fiksuan në fund të takimit në ndeshjen që Shkëndija e Tetovës e fitoi ndaj Sileksit. Dukej sikur ishte një ndeshje stërvitore për tetovarët, të cilët po ecin në gjurmët e sezonit të kaluar, pra drejt titullit “kampion”.
Rivalët e Vardarit u ndalën sërish, madje sot pësuan disfatë në fushën e tyre nga Rabotniçki, me rezultatin 0-1. Shkëndija e dominoi ndeshjen dhe e fitoi me meritë atë. Serinë e golave e hapi Nafiu në minutën e 25-të, ndërsa më pas skena i takon ish-sulmuesit të Kukësit, Izair Emini, që shënoi dy gola në këtë përballje.
Në fundin e ndeshjes ishte radha e Shefitit dhe Fazlit që të shënonin përkatësisht golin e 4-t dhe të 5-të, duke bërë që Shkëndija të fitonte 5-0 e të shkonte në kuotën e 34 pikëve. Pas këtij suksesi, Shkëndija thellon avantazhin me Vardarin ndjekës në 6 pikë, pasi skuadra maqedonase ka 28 pikë.
Ndërsa në vend të 3-të është ngjitur Akademija Pandev me 25 pikë. Pas kësaj jave Shkëndija e Tetovës ka të drejtë të krenohet, pasi fiton dhe e thellon bindshëm kryesimin, duke qenë favoritja kryesore për të fituar titullin “kampion” këtë sezon në Maqedoni.