AlbanianSport.com 29.07.2015 18:45
Ndeshja Shqipëri-Serbi nuk do të luhet në Shkodër. Ndryshe nga sa ishte parashikuar, sfida e 8 tetorit për eliminatoret e Euro 2016-tës do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. Konfirmimi ka ardhur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në variantin e saj zyrtar, qeveria e futbollit në vend sqaron se shkak për këtë vendim është bërë UEFA. Kjo e fundit ka kërkuar që ndeshja e cila paraqet rrezikshmëri të lartë sidomos pas asaj që ndodhi në sfidën e vajtjes në Beograd të mos luhet në një stadium që nuk është testuar më parë.
Përpos kërkesës së UEFA-s të bërë publike nga FSHF, zhvillimi i ndeshjes Shqipëri-Serbi në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër siç kishte premtuar kryeministri Edi Rama kishte qenë sidoqoftë në rrezik. Pamjet e fundit që vijnë nga kantieri i ndërtimit tregojnë se impianti është shumë larg mundësisë për të qenë gati për ndeshjen e tetorit. Në fillim të eliminatoreve të Euro 2016 ndeshja e kthimit mes Shqipërisë dhe Serbisë ishte parashikuar të luhej në “Elbasan Arena”. Por gjërat ndryshuan kur pas një inspektimi në Shkodër, kreu i qeverisë premtoi rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi”.
Kjo që të mundësonte këtë stadium për të pritur sfidën që mori doza të tjera emocionale pas asaj që ndodhi në Beograd vitin e shkuar. Me mbledhjeve të qeverisë që u zhvilluan në qytetin verior, konkursesh projektesh dhe prezantimi i tyre vonesa në nisjen e punimeve ngriti menjëherë dyshime nëse ndeshja Shqipëri-Serbi mund të luhej në “Loro Boriçin” e rikonstruktuar. Edhe kur punimet nisën zbatimi i projektit nuk shkoi sipas parashikimeve, teksa në media u publikuan foto të një gabimi në ndërtimin e një prej tribunave.
Lajmi se ndeshja Shqipëri-Serbi do të luhet në “Elbasan Arena” i jep më shumë kohë rikonstruksionit të stadiumit të Shkodrës, i cili pritet të inagurohet në muajin nëntor me një miqësore të nivelit të lartë ashtu siç premtoi Federata Shqiptare e Futbollit.